
Turizmi ka potencialin që të shndërrohet në motor të fortë të ekonomisë shqiptare, me shifra vizitorësh që rriten çdo vit. Por përtej statistikave mbetet dilema thelbësore: a po përfitojnë komunitetet vendase nga ky zhvillim apo fitimet po përqendrohen diku tjetër? Ekspertët sugjerojnë se, nëse Shqipëria nuk ndërton një model të qëndrueshëm, rrezikon që rritja e sotme të kthehet nesër në një kurth.
Vitet e fundit, duket se Shqipëria po përjeton një zbulim nga turistët e huaj, për këtë pjesë të hartës së Ballkanit, që më parë jo të gjithë ia dinin ekzistencën.
Të dhënat tregojnë rritje të qëndrueshme të numrit të vizitorëve nga viti në vit, ndërsa vendi po bëhet pjesë e listave të mediave ndërkombëtare dhe portaleve të specializuara për destinacione të reja.
Rivierës shqiptare i kushtohen artikuj në prestigjioze botërore, ndërsa malet dhe zonat rurale përshkruhen gjithnjë e më shpesh si “perlë e fshehur” e Ballkanit. Kjo dukuri, e cila vetëm një dekadë më parë dukej e largët, sot është realitet: Shqipëria po hyn me ritme të shpejta në hartën e destinacioneve globale.
Megjithatë, entuziazmi i shifrave nuk duhet të fshehë pyetjen thelbësore: kush përfiton realisht nga ky bum turistik?
Shembujt nga vende të tjera tregojnë se turizmi masiv shpesh krijon ekonomi të përqendruar, ku fitimet rrjedhin te zinxhirë të mëdhenj hotelerie, kompani ndërkombëtare apo investitorë me kapital të fuqishëm, ndërsa komunitetet vendase, të cilat ofrojnë kulturën, peizazhin dhe mikpritjen, mbeten shpesh të margjinalizuara.
Në shumë raste, banorët përballen me çmime më të larta, me presion mbi burimet natyrore, apo me humbjen e traditave, ndërkohë që pjesa e tyre nga “torta ekonomike” është e vogël. Ekspertët paralajmërojnë se ky rrezik është real edhe për Shqipërinë.
Nëse modeli i zhvillimit turistik nuk orientohet drejt përfshirjes së komuniteteve, vendi rrezikon të përsërisë historinë e destinacioneve të tjera mesdhetare ku turizmi ka gjeneruar miliarda euro, por nuk ka sjellë domosdoshmërisht mirëqenie të shpërndarë gjerësisht.
Për këtë arsye, gjithnjë e më shumë po theksohet nevoja për një qasje të re: turizmin komunitar.
Ky model e sheh udhëtimin jo si një produkt standard, por si një marrëdhënie të dyanshme mes vizitorëve dhe banorëve vendas, ku të ardhurat, vlerat dhe përgjegjësitë ndahen në mënyrë më të drejtë.
Turizmi komunitar ofron përvoja autentike për vizitorët, nga pjesëmarrja në punët e përditshme të fshatit, deri te gatimi i recetave tradicionale apo zbulimi i trashëgimisë nga vetë banorët. Por mbi të gjitha, ai krijon mundësi të reja ekonomike për komunitetet lokale, duke u dhënë atyre mjete konkrete për zhvillim.
Në vend që të mbeten spektatorë të një industrie që i përdor si “skenografi”, banorët kthehen në aktorë të vërtetë, duke ndërtuar biznese të vogla, duke fuqizuar gratë dhe të rinjtë, dhe duke krijuar rrugë alternative jetese në zonat rurale ku shpesh emigracioni shihet si i vetmi opsion.
Në shumë vende të botës, ky transformim është bërë i prekshëm falë punës së organizatave si Planeterra. Me një rrjet prej mbi 550 komunitetesh në 80 shtete, ajo ka krijuar një platformë që e kthen turizmin në katalizator të zhvillimit social, ekonomik dhe mjedisor.
Nëpërmjet nismave që mbështesin sipërmarrjet vendore, që fuqizojnë gratë dhe të rinjtë, që mbrojnë natyrën apo trashëgiminë kulturore. Sipas këtij modeli, pritet punësim më i lartë, të ardhura të shpërndara më gjerë në zonat rurale, si dhe një rezistencë më të madhe të komuniteteve përballë sfidave të kohës, nga presionet e tregut global deri te ndryshimet klimatike.
Për herë të parë, kjo nismë po merr një dimension të ri edhe në Europë, një kontinent që prej dekadash përballet me pasojat e turizmit masiv: mbipopullim të qyteteve, degradim të ekosistemeve dhe shtrenjtime që prekin jetën e përditshme të banorëve.
Në këtë sfidë, Shqipëria, si një destinacion ende në zhvillim, ka mundësinë unike të mësojë nga gabimet e të tjerëve dhe të ndërtojë një model më të drejtë që në fillim.


