Shqipëria nënshkruan një marrëveshje me Japoninë për kadastrën dixhitale

Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama solli rastin e një familjeje që humbi pronën për shkak të vrimës në një hartë. Rama: Shqipëria ka përfituar 200 milionë euro dhe e rendit Japoninë në vendet kryesore që kanë ndihmuar drejtpërdrejt vendin tonë pas rënies së regjimit komunist. Çelja e ambasadës së Japonisë në Tiranë në janar të këtij viti besoj se është shprehje kuptimplotë e faktit se pavarësisht dimensioneve të pakrahueshme, Japonia dhe qeveria japoneze rezervojnë një respekt. Ky është një projekt që nuk e teproj aspak të them fantastik, sepse është një projekt që na jep mundësinë të vendosim një kufi ndarës në çerek shekulli ngatërresa dhe konflikte në gjithë fushën e të drejtave të pronës që kanë ardhur edhe si rezultat i mungesës së informacionit të besueshëm. Më lejoni të sjell dëshminë e një familjeje e cila e humbi pronën në gjyq për shkak se harta ku gjendej prona e kësaj familje, ishte me vrimë. Bëhet fjalë për harta të letër të stërpalosura, që nga gjithë ky përdorim i gjatë kanë vrimë dhe prona e asaj familje humbi në një nga këto vrima. Në vendimin e gjykatës thuhet se nuk mund të vendoset për pronën në fjalë sepse ajo ndodhet në vrimën e hartës.