
Importet e produkteve ushqimore në Shqipëri kanë shënuar një rritje të ndjeshme gjatë 7-mujorit të parë të vitit 2026. Sipas të dhënave të INSTAT, nga janari deri në korrik janë importuar 606.4 mijë tonë produkte ushqimore, kundrejt 537.4 mijë tonëve në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Bëhet fjalë për një rritje prej rreth 69 mijë tonësh, ose 12.8%.
Pjesën kryesore të kësaj rritjeje e kanë dhënë drithërat. Në shtatë muaj u importuan rreth 239.3 mijë tonë, 23.1% më shumë se një vit më parë. Drithërat përbëjnë rreth 40% të totalit të ushqimeve të importuara.
Rritje kanë shënuar edhe importet e perimeve, të cilat u shtuan me 11.1%, duke arritur në 45.5 mijë tonë. Importet e frutave dhe arrave arritën në 64.7 mijë tonë, ndërsa ato të mishit dhe të brendshmeve të ngrënshme në 28.1 mijë tonë.
Rritja e importeve vjen në një kohë kur edhe kërkesa e tregut është shtuar ndjeshëm për shkak të turizmit. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, Shqipërinë e vizituan 5.1 milionë shtetas të huaj, 6.2% më shumë se një vit më parë.
Megjithatë, rritja e turizmit nuk është shoqëruar me të njëjtin ritëm të prodhimit vendas. Në vitin 2025, prodhimi i grurit ra me 10.1%, ndërsa ai i patates me 7.2%. Edhe pse prodhimi i perimeve u rrit me 1.5%, importet e tyre u rritën mbi 11% vetëm në shtatë muajt e parë të këtij viti.
Shifrat tregojnë kështu një varësi në rritje nga tregjet e huaja për furnizimin me ushqime, ndërsa prodhimi vendas po e ka të vështirë të përballojë kërkesën në rritje, veçanërisht atë të sektorit të turizmit.






