Pas 1 muaji fushatë elektorale, Shqipëria sot është në heshtje zgjedhore, ndërsa të dielën, 11 maj qytetarët janë thirrur në votime për të vendosur se kush do t’i qeverisë në 4 vitet e ardhshme. Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, në nenin 77, përcakton qartë periudhën e heshtjes zgjedhore dhe kufizimet që lidhen me të. Sipas këtij neni, dita para datës së zgjedhjeve dhe dita e zgjedhjeve, deri në orën e mbylljes së votimit, formojnë periudhën e heshtjes zgjedhore. Gjatë kësaj periudhe, ndalohet çdo aktivitet fushate zgjedhore, përfshirë zhvillimin e mitingjeve, aktiviteteve të tjera zgjedhore dhe shpërndarjen e materialeve propagandistike nga subjektet zgjedhore.

Për ata që shkelin këtë dispozitë, Kodi Zgjedhor parashikon sanksione financiare. Në nenin 174, përcaktohet se subjektet zgjedhore që thyejnë heshtjen zgjedhore mund të gjobiten nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) me një shumë prej 500,000 lekësh. Po ashtu, media që shkel këtë rregull mund të gjobitet me një shumë prej 2,000,000 lekësh. Këto masa synojnë të sigurojnë një proces zgjedhor të ndershëm dhe të paanshëm, duke garantuar që zgjedhësit të kenë mundësinë të shprehin vullnetin e tyre pa ndikime të jashtme në periudhën e heshtjes zgjedhore.

Këto janë zgjedhjet e 11-ta në Republikën e Shqipërisë, pas ardhjes së demokracisë. Në garë janë 2.046 kandidatë, për 140 vende në parlament. Për herë të parë në këto zgjedhje voton edhe diaspora. Ky proces realizohet përmes postës. Vota e emigrantëve do të numërohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe do të llogaritet sikur qytetari të kishte votuar në qarkun, ku ai banonte në Shqipëri.

Artikulli paraprakMË PAK SE 24 ORË NGA ZGJEDHJET/ KQZ: KANË MBËRRITUR MBI 180 MIJË ZARFE ME VOTAT E DIASPORËS
Artikulli tjetërLEZHA BËHET GATI PËR ZGJEDHJET E 11-MAJIT