Shansi i Shqipërisë për të shkuar në kampionatin europian kalon përmes Armenisë. Kuqezinjtë në çastet e fundit janë ndëshkuar me dy gola nga Serbia. Në këtë mënyrë rikthehet makthi i minutave të fundit për Shqipërinë duke humbur përballë Serbisë në Elbasan 0-2 në shtesë me dy gola të shënuar nga Kolarov dhe Ljajic, ashtu sikur ndodhi edhe ndaj Portugalisë më 7 shtator.

Kuqezinjtë zhvilluan një ndeshje pozitive duke krijuar volum loje dhe raste të pastra për të shënuar, por finalizimi i saktë para portës mungoi për shkak të eksperiencës dhe fatit, që edhe këtë ndeshje nuk ishte me djemtë e italianit De Biasit. Serbia u mbrojt duke pritur momentin e saj, që e shfrytëzoi në minutat shtesë, pikërisht në minutën e parë dhe të tretë për të shënuar dy herë. Fillimisht ka qenë Kolarov që shënoi pas një aksioni të shpejtë, ndërsa golin e dytë e realizoi Ljajic në minutën e 3 shtesë, pasi rrëmbeu topin nga mbrojtja e tij duke u nisur me shpejtësi drejt portës shqiptare, ku përballë Berishës nuk e kishte të vështirë të shënonte me parabël. Goli i dytë vendosi heshtjen totale në Elbasan, ndërsa serbët nisën festën edhe pse kanë dalë jashtë loje me kohë, pasi nuk kanë shpresa për kualifikim. Ndërsa lajmi i vetëm i mirë për Shqipërinë është humbja e Danimarkës në Portugali 1-0, që do të thotë se nëse Shqipëria do të fitojë ndeshjen e së hënës në Armeni do të shkojë direkt në Francë, ndërsa barazimi i jep të drejtën danezëve për të festuar. Danimarka mbetet sërish një pikë para Shqipërisë dhe ndaj Armenisë kuqezinjtë duhet të marrin tri pikë për të siguruar vendin e dytë, që siguron kualifikim direkt për në “Francë 2016”. Në rast të kundërt, Shqipëria do të tentoi kualifikimin për në “Euro 2016” me anë të fazës play-off.