
Qindra shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të Europës kanë mbërritur këtë të shtunë në Shqipëri për t’iu bashkuar protestës kombëtare të paralajmëruar në kryeqytet.
Të organizuar në grupe nga disa shtete europiane, emigrantët hynë në territorin shqiptar përmes pikës kufitare të Muriqanit, ku më pas u drejtuan drejt Shkodrës, duke u pritur nga qytetarë dhe mbështetës të protestës.
Emigrantët shprehën se kthimi i tyre në Shqipëri është një akt solidariteti me qytetarët që kërkojnë ndryshim, duke theksuar se dëshirojnë të japin kontributin e tyre për një të ardhme më të mirë të vendit.
Pasditen e sotme në Tiranë pritet të zhvillohet protesta kombëtare, për të cilën organizatorët kanë bërë prej ditësh thirrje që shqiptarët e diasporës të kthehen në atdhe dhe t’i bashkohen mobilizimit qytetar kundër klasës aktuale politike. Protestuesit e konsiderojnë këtë një përpjekje për të kërkuar ndryshim dhe për të ndërtuar një Shqipëri më të mirë.






