
Kërkesat për azil nga shtetasit shqiptarë në një nga vendet e Bashkimit Europian (BE) kanë shënuar tkurrje të fortë gjatë pjesës së parë të këtij viti.
Të dhënat e publikuara nga Eurostat bëjnë të ditur se në janar-korrik kishte gjithsej 3100 kërkesa për mbrojtje ndërkombëtare në BE nga shtetasit shqiptarë. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, këto kërkesa kanë rënë me 28%.
Në raport me vitin 2022, kur u shënua një kulm i ri emigracioni, pas pandemisë, me 7200, tashmë ato mëse janë përgjysmuar. Franca vijon të mbetet vendi më i preferuar për të kërkuar azil për shkak të politika sociale, e ndjekur nga Gjermania.
Ndërsa kërkesat për azil janë në rënie, të dhënat e tjera të Eurostat bënë të ditur se forma më e preferuar për të ikur janë lejet e punës. Eurostat raportoi se vetëm në 2022-2024 janë dhënë mesatarisht 20 mijë leje pune në vit, kryesisht në Itali, Greqi e Gjermani, nga rreth 3-4 mijë që jepeshin një dekadë më parë.
Që nga viti 2021, Bashkimi Europian ka dhënë rreth 72 mijë leje qëndrimi për herë të parë për arsye punësimi për shtetasit shqiptarë.
Numri i atyre që po ikin me leje pune është tashmë gati dy herë më i lartë se ata që kërkojnë të largohen përmes azilit. Të dhënat e tjera të Eurostat bëjnë të ditur se në vitin 2022 kishte 15 mijë kërkesa për azil nga shtetasit shqiptarë në vendet e BE-së, në 2023 numri i tyre zbriti në 11 mijë dhe në 2024-n ishte 9.3 mijë.






