Ndërsa e gjithë Europa i është larguar makinave me naftë, në Shqipëri ato vijojnë të zënë peshën më të madhe të regjistrimeve të reja të autoveturave, duke i bërë dhe më të ndjeshme pasojat e rritjes së çmimeve.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), nga 17.7 mijë autovetura që u regjistruan për herë të parë në tremujorin e parë 2026, rreth 59% e tyre ishin me naftë.

Pesha e makinave që regjistrohen për herë të parë dhe përdorin naftën si lëndë djegëse është më e larta në Europë, sipas të dhënave të tjera të Eurostat. Në vitin 2024 (i fundit kur ka informacion), në Bashkimin Europian mesatarisht rreth 15% e regjistrimeve të reja ishin makina me naftë. Vendet në renditje pas Shqipërisë, Moldavia dhe Bosnjë Hercegovina e kishin këtë peshë përkatësisht 47% dhe 44%.
Ndonëse në krahasim me 2024-n, kur 66% e regjistrimeve për herë të parë të makinave në vend ishin me naftë, ka një rënie me 6 pikë përqindje, sërish pesha e makinave me naftë që hyjnë rishtazi në treg mbetet shumë e lartë.

Në Europë, në regjistrimet e reja mbizotëron benzina, me rreth 60% të regjistrimeve në 2024-n. Në Shqipëri, autoveturat e regjistruara rishtazi me benzinë ishin 18% e totalit në tre muajt e parë të 2026-s.

Një zhvillim pozitiv në 2026-n është rritja e peshës së makinave elektrike, që zunë 13% të regjistrimeve për herë të parë në janar-mars, në të njëjtën peshë si në Europë, po në 2024-n.

Artikulli paraprakSHKODËR/ DËMTIME PAS NDESHJES VLLAZNIA–TEUTA, PROCEDOHEN DISA SHTETAS. RASTE TË TJERA PËR DROGË DHE DREJTIM PA LEJE
Artikulli tjetërMINISTRI HOXHA TAKIM ME KËSHILLIN KOORDINUES: NË FOKUS PROMOVIMI I GJUHËS SHQIPE, ZHVILLIMI EKONOMIK E SHOQËROR