
Globalizimi mund të ketë efekte në shumë sektorë, por padyshim një ndër to është përhapja e festave, të cilat pa kontekste kulturore ose historike, përqafohen kudo. Kështu ka ndodhur edhe me Halloween në Shqipëri. Prej së paku 10 vitesh është shndërruar në një trend, i cili ka anët e tij pozitive për shumë biznese në vend.
Mes kostumeve, maskave, dekoreve për shtëpi e biznese, kunguj, ëmbëlsira: festa pritet të gjenerojë një shumë të konsiderueshme, ndonëse nuk ka studime specifike për këtë.
Familjet përpiqen të gjejnë kostume, të blejnë kunguj, të dekorojnë shtëpitë, kurse bizneset. ambientet e tyre. Ajo që dikur shihej si një ‘festë e huaj’, shumë e shohin si një kalim në një sezon të vërtetë feste dhe tashmë po shndërrohet në një ‘industri’ prej qindra eurosh – dhe kjo është e frikshme!
‘Të fituarit’ janë bizneset, që kanë ditur që të marketojnë e të shesin këtë trend, ‘të humburit’ janë familjet, të cilat shpesh e me buxhet të kufizuar, nuk munden t’u thonë jo fëmijëve, që janë target-grupi i parë që festojnë. Dhe çdo vit, duhen aksesorë të ndryshëm. Shpenzimet e kostumeve janë komponenti më i madh i shpenzimeve të Halloween, sipas vëzhgimeve të bëra në biznese të ndryshme në kryeqytet, si dhe ato online. Sipas tyre, një shumicë njerëzish do të veshin një kostum ose aksesorë të një kostumi. Çuditërisht një pjesë e tyre synojnë të blejnë një kostum edhe për kafshët shtëpiake.
Një grup konsumatorësh, ndër më të shumtët në vendin tonë, janë fëmijët. Kjo sepse festimet nxiten nga organizime që në sistemin parashkollor, më tej në shkollë, adoleshentët dhe më tej studentët me fests. Tek fëmijët, kostumet më të pëlqyera duket se janë princeshat dhe superheronjtë, ndërsa për të rriturit tendenca është tek shtrigat dhe vampirët. Por, gama është diversifikuar çdo vit. Për kafshët shtëpiake, kostumi kryesor është një kungull, sipas bizneseve të fushës. Edhe bar-restorante në kryeqytet përfshihen në listën e ‘fituesve’ nga kjo festë: muzikë live, dj, festë me tematikë kostumesh: të gjitha organizimet gjenden. Zakonisht festat janë me hyrje falas dhe me fitime në konsumet brenda festës.
Një tjetër sektor që ka parë frytet e saj të përfitimit është edhe estetika. Nga ana tjetër, edhe kinematë në vend kanë rezervuar evente kushtuar datës 31. 31 tetor është shndërruar në “vezën e artë” te shumë bizneseve në vend. Me dëshirën e tyre, apo si nevojë e shoqërisë, shqiptarët paguajnë për t’u kënaqur.


