Itali – Shqiptari arrestohet me 100 000 euro kokainë të pastër në kufi me Zvicrën

 

Një 36 vjeçar u arrestua nga Guardia di Finanza në Como të Italisë, pasi u kap me 538 gram kokainë. Sipas mediave italiane, shqiptari vinte nga Zvicra në drejtim të Italisë. Lënda narkotike ishte fshehur në një pjesë të dyfishtë në pjesën e përparme të automjetit. Shqiptari kishte hequr edhe pjesën e airbag-it të pasagjerit, në mënyrë që të rriste kapacitetin mbajtës. Arrestimi i shqiptari u krye në mesin e mijëra makinave që vinin nga Evropa veriore dhe që po tentonin të kalonin në kufi. Kontrolli në mjetin e shqiptarit erdhi pas dyshimeve që ai shfaqi tek punonjësit e policisë. Pas kontrollit të automjetit mbrëmjen e së enjtes vonë, u gjet sasia e drogës e futur me një copë dhe e paketuar në disa shtresa, ndërsa ishte mbështjellë me një shirit të errët ngjitës. Shqiptari u arrestua për trafik ndërkombëtar droge ndërsa është dërguar në burgun lokal duke u vënë në dispozicion të drejtësisë. Policia sekuestroi makinën dhe dy telefona celularë. Në se do ta shiste në tregun me pakicë, shqiptari do të mund të fitonte 100 000 euro, ndërsa lënda narkotike ishte e një cilësie të pastër.