Shqiptari ndalohet në Itali për terrorizëm, ja çfarë i bëri Facebook.

Një 38-vjeçar shqiptar është vënë nën hetim nga drejtësia italiane pasi akuzohet për terrorizëm ndërkombëtar. Edmond Ahmetaj ka jetuar prej vitesh në Itali me gruan e tij dhe vëllanë, në Noci të Barit. Që nga maji i vitit 2016 ai kishte marrë shtetësinë italiane. Hetimet ndaj shqiptarit kanë nisur që në nëntor të vitit 2015, pas sulmit terrorist që ndodhi në Paris. Në atë kohë, 38-vjeçari ka shfaqur në rrjetin social Facebook, përbuzje për viktimat dhe vlerësoi masakrën e ISIS. Ai ka shpërndarë edhe një video në lidhje me një atentat të mundshëm në Itali. Drejtësia italiane e akuzon atë për përhapjen e propagandës xhihadiste në Facebook. Ai ka pasur një sërë kontaktet me grupe të tjera bashkëkombësish, me të cilët lëvdonte grupet terroriste. Në profilin e tij në rrjetin social është evidentuar edhe një foto me një armë lufte dhe një video me intervistën e imamit të Londrës Anjem Choudary në lidhje me një sulm të mundshëm në Romë.