Shqiptarja 20-vjeçare braktis 3 vajzat e mitura. Arrestohet babai

 

Një shtetas shqiptar është arrestuar dhe ish-bashkëshortja e tij është shpallur në kërkim nga organet greke të Rendit, pasi kanë braktisur në rrugë 3 fëmijët e tyre të mitur. Ngjarja shokuese ka ndodhur në Patra, kur të hënën e kaluar, kalimtarë kanë parë në rrugë, të braktisura, 3 vajza të mitura, më e vogla pesëmuajshe, që endeshin pa i kërkuar njeri. Menjëherë është lajmëruar policia dhe ato janë çuar në spitalin e qytetit, ku dhe po trajtohen nga psikologët. Sipas burimeve policore, në orët e pasdites së të enjtes është arrestuar babai i tyre, një 27-vjeçar nga Shqipëria, që punon në fermat bujqësore të fshatit Lehena, të prefekturës së Ilias në Peloponez. Një muaj më parë, atë e ka braktisur gruaja për një person tjetër, duke i lënë edhe të 4 fëmijët që kishin së bashku, 3 vajza dhe një djalë. Për t’i rifituar zemrën, shqiptari në fjalë, identiteti i të cilit ende nuk bëhet i njohur publikisht, ka lënë djalin në shtëpinë e tij në fshat, ka marrë vajzat dhe i ka çuar te shtëpia e vjehrrës në qytetin e Patrës. Pasi është njoftuar nga e ëma, nëna e 3 vajzave ka ardhur në shtëpi, i ka marrë fëmijët e saj, i ka lënë në mes të rrugës dhe është larguar. Kur i kanë gjetur kalimtarët, vajza më e madhe 4 vjeç mbante të përqafuar foshnjën pesëmuajshe dhe për dore motrën tjetër 18-muajshe. Pasi ka dëgjuar në media lajmin, babai ka shkuar vet në polici me avokatin e tij dhe është arrestuar. Por, ajo që ka shokuar të gjithë është fakti se, pasi policia ka zbuluar kush është nëna e fëmijëve dhe e ka marrë në telefon, ajo është përgjigjur: Nuk i dua fëmijët, kam gjetur një dashuri tjetër, jepini për birësim! Sipas policisë, nëna e vajzave, edhe ajo shtetase shqiptare, është vetëm 20 vjeç.