Shoqata Rajonale e Futbollit Shkodër është shpallur kampione e turneut “5X5 Masters”, pas fitores 5-3 në finalen ndaj Veteranëve të Vllaznisë, në një përballje spektakolare të zhvilluar në kompleksin sportiv “Zmijani”. Ndeshja finale dhuroi ritëm dhe gola, me ekipin e Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër që u tregua më efikas në momentet vendimtare, duke siguruar trofeun. Anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Armando Cungu, përgëzoi organizatorët dhe paralajmëroi se do t’i propozojë Federatës organizimin e një kampionati të veteranëve në të gjithë Shqipërinë.
Nga ana tjetër, kryetari i Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër, Lazër Matija, theksoi se kampionati ia arriti qëllimit dhe synimi është që në të ardhmen të shtrihet në nivel kombëtar.
Protagonist i këtij edicioni ishte Denis Zmijani, i cili jo vetëm u shpall kampion me ekipin e tij, por fitoi edhe “Këpucën e Artë” si golashënuesi më i mirë i turneut me 30 gola. Ai e cilësoi këtë kampionat si një sukses për qytetin e Shkodrës dhe një nismë që meriton të zhvillohet më tej.
Turneu “5X5 Masters” konfirmoi interesin dhe potencialin për zhvillimin e futbollit të veteranëve, duke e kthyer këtë aktivitet në një event të rëndësishëm sportiv për Shkodrën.

Artikulli paraprakKRIJIMI I NJË DATABAZE PËR KANCERIN E STOMAKUT
Artikulli tjetërFINALIZOHET OPERACIONI POLICOR I KODUAR “RENT HOME 3”, GODITET NJË TJETËR RAST I PROSTITUCIONIT, ARRESTOHEN 2 SHTETAS