Si pasojë e shiut dhe erërave të forta, pothuajse i gjithë qyteti i Shkodrës ka vuajtur mungesën e energjisë elektrike. Si pasojë e kësaj, ndërprerje ka patur edhe në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Në këtë të fundit janë anuluar dhe shtyrë një numër i madh i ndërhyrjeve kirurgjikale, sidomos për operacionet të cilat janë të parashikuar për një zgjatje tre apo katër orëshe.

Sipas informacioneve që vijnë nga Spitali Rajonal i Shkodrës, gjeneratorët e këtij institucioni spitalor nuk janë në gjendje të mbajnë në punë aparaturat e avancuara të cilat kërkojnë burim më të fuqishëm energjie. Si pasojë e kësaj, dhe frikës së ndërprerjeve të energjisë elektrike, një numër i madh ndërhyrjesh janë shtyrë për një moment të dytë. Ndërkohë, bëhet me dije se ndërhyrjet kirurgjikale që kërkojnë afat të shkurtër kanë vijuar pa probleme. Energjia elektrike ka paralizuar për disa orë mbrëmjen e së enjtes një pjesë të madhe të qytetit.

Ndërkohë që biznesi e ka ndjerë menjëherë mungesën, duke mbyllur qepenat dhe aktivitetin, deri në momentin që Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike të përmirësoj të gjithë situatën e krijuar.

Artikulli paraprakRRETHINA, MUNGON ENERGJIA ELEKTRIKE
Artikulli tjetërRREZIKU NGA SHKARKIMET NË HIDROCENTRALE