
Ipeshkvi i Dioqezës së Sapës, Imzot Simon Kulli, është ndarë sot nga jeta në moshën 52-vjeçare, pas një arresti kardiak të pësuar në orët e para të mëngjesit tw sotwm.
Imzot Kulli lindi më 14 shkurt 1973 në fshatin Pistull të Sapës dhe u rrit në një familje me tradita të thella fetare. U pranua në Seminarin Ndërdioqezan të Shkodrës në vitin 1992, ku nisi rrugëtimin e tij filozofik e teologjik. Më 29 qershor 2000 u shugurua meshtar në Katedralen e Shkodrës, ndër shugurimet e para pas 46 viteve të regjimit komunist.
Gjatë viteve të shërbimit të tij, ka mbajtur detyra të rëndësishme në Kishën Katolike, përfshirë atë të Kancelarit të Dioqezës, Drejtorit të Caritasit Dioqezan, Vikarit të Përgjithshëm, si dhe Administrator Dioqezan pas ndarjes nga jeta të Imzot Lucjan Avgustinit në vitin 2016. Prej vitit 2006 shërbente si famullitar i Katedrales “Shën Tereza e Kalkutës” në Vau-Dejës.
Lajmi i ndarjes nga jeta të Imzot Simon Kullit ka sjellë trishtim të thellë në komunitetin katolik dhe më gjerë, ku ai kujtohet si një figurë e devotshme, e përkushtuar dhe e dashur për besimtarët.






