Pas debatit për mungesën e fondeve për universitetet, qeveria ka miratuar modelin se si do bëhet financimi i Institucioneve të Arsimit të Lartë. Nëpërmjet një vendimi që ka hyrë tashmë në fuqi, Këshilli i Ministrave ka miratuar 3 grantet për universitetet, duke filluar nga granti i mësimdhënies, granti i punës kërkimore dhe ai i zhvillimit të politikave.

GRANTI i MËSIMDHËNIES

Granti i mësimdhënies përfshin: Fondin për institucionet publike të arsimit të lartë, në masën jo më pak se 90% dhe fondin e mbështetjes studentore, në masën deri në 10% në vit. Fondi institucional u shpërndahet institucioneve publike të arsimit të lartë, sipas një formule, në bazë të elementeve të mëposhtme:

a) Numrit të studentëve që ndjekin ciklin e parë të studimeve, një program të integruar të studimeve ose në një program të studimeve profesionale, në një vit akademik, të cilët konvertohen në njësi financimi. Financimi i IAL-ve do të kryhet me bazë studentin;

b) Koeficientëve të financimit, sipas programit të studimit të ndjekur, bazuar në koston mesatare për student;

c) Koeficientit të prioriteteve ose financimit shtesë, në masën 5% për studentët që ndjekin programe prioritare, të përcaktuara në dokumentin e prioriteteve që ministri përgjegjës për arsimin miraton dhe shpall çdo vit sipas drejtimeve kryesore dhe në masën 10% për studentët që ndjekin programe studimi me karakter profesional;

ç) Shumës të të ardhurave nga tarifat e studimit të përllogaritura për çdo IAL, bazuar në numrin e studentëve të regjistruar dhe nivelin e tarifës tavan të shkollimit, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave për çdo program studimi për studentët që ndjekin ciklin e parë të studimeve, programet e integruara të studimeve, si dhe një program të studimeve profesionale;

d) Për një periudhë kalimtare dy deri tre vjet, në përllogaritjen e formulës/masës së financimit për institucionet publike të arsimit të lartë do të konsiderohet rivlerësimi/ekualizimi, bazuar në nevojat specifike të tyre

Fondi për studentët

Fondin e mbështetjes studentore deri në 10% të fondit vjetor të marrë në formë granti. Përdorimi i këtij fondi përfshin tri kategori financimi: a) Bursat e studimit për studentët e shkëlqyer; b) Bursat e studimit për studentët në programet e studimit që përbëjnë prioritet kombëtar; c) Bursat e studimit për studentët që u përkasin shtresave sociale në nevojë.

Bursat e studimit për studentët e shkëlqyer u jepen studentëve me notë mesatare maksimale në hyrje, në rang vendi, pavarësisht nga programi i studimit dhe institucioni në të cilin ata kanë zgjedhur të ndjekin studimet. Studenti vazhdon të përfitojë nga ky grant nëse rezultatet e tij, gjatë të gjitha viteve të studimit, vazhdojnë të jenë të shkëlqyera.

Bursat e studimit për studentët që kanë zgjedhur të ndjekin programet e studimit në institucione publike të arsimit të lartë, që përbëjnë prioritet kombëtar, iu shpërndahen studentëve që studiojnë në fushat e përcaktuara si të tilla me vendim të Këshillit të Ministrave.

Bursat e studimit për studentët që u përkasin shtresave sociale në nevojë iu shpërndahen studentëve që janë shpallur fitues në institucionet publike të arsimit të lartë dhe plotësojnë kriteret për t’u konsideruar si studentë në nevojë, të përcaktuar si të tillë me vendim të Këshillit të Ministrave.

GRANTI i PUNËS KËRKIMORE-SHKENCORE

Granti i punës kërkimore-shkencore dhe veprimtarive krijuese përfshin fondet për kërkimin shkencor. Ky grant është i hapur për konkurrimin/ aplikimin për të gjitha institucionet e arsimit të lartë të akredituara që zhvillojnë kërkim shkencor. Institucionet e arsimit të lartë të llojit universitet dhe akademi aplikojnë për të përfituar nga ky grant dhe për financimin e studimeve të doktoratës.

Nga ky fond përjashtohet financimi i ngarkesës së pedagogëve për udhëheqjen e doktoratës. Shpërndarja e fondeve të kësaj kategorie, të miratuara në formën e një granti të punës kërkimore-shkencore,

realizohet nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI), mbi bazën e projekteve që institucionet paraqesin dhe duke mbajtur në konsideratë treguesit kryesorë për projektet kërkimore-shkencore dhe veprimtarinë krijuese të IAL-ve.

GRANTI i POLITIKAVE TË ZHVILLIMIT

Granti i politikave të zhvillimit për institucionet publike të arsimit të lartë përfshin, si më poshtë: a) Fondin për mbështetjen e institucionit dhe të infrastrukturës akademike; b) Fondin e projekteve konkurruese për zhvillimin e institucioneve publike të arsimit të lartë.

Fondi për mbështetjen e institucionit dhe infrastrukturës akademike shpërndahet mbi bazën e renditjes së institucioneve publike të arsimit të lartë, të kryer nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI).

Fondi i projekteve konkurruese për zhvillimin e institucioneve publike të arsimit të lartë shpërndahet mbi bazën e projekteve që paraqesin këto institucione, sipas kritereve të përcaktuara në strategjitë sektoriale dhe në ligjin vjetor të buxhetit.