Prej orës 19:00 të së shtunës Arishta, i cili dyshohet se vuante nga probleme të shëndetit mendor, ishte nën rrethimin e efektivëve të Shkodrës, FNSH dhe RENEA në një banesë në fshatin Obot i Ri.

Kjo pasi pasditen e së shtunës 52-vjeçari plagosi me armë të afërmin e tij 21-vjeçar Besar Sherbela pas një konflikti për gardhin. I riu mori një plumb në kraharor dhe tashmë ndodhet nën kujdesin e bluzave të bardha në Spitalin e Shkodrës. Ishin vetë familjarët e të riut që bënë denoncimin në polici e nga ky moment efektivët rrethuan banesën e Arishtës. Me të kuptuar se është nën rrethimin e policisë autori ka qëlluar me armë ku për fat të keq një plumb kapi në kokë kreun e FNSH-së Shkodër Simon Gjeta i cili ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të marra.

Gjatë aksionit policia ka kontaktuar edhe më familjarët e Ruzhdi Arishtës, për të mësuar më shumë për gjendjen e tij, nga ku rezultoi se 52-vjeçari ka qenë jo në parametrat normal të psikikës.

SIMON GJETA U QËLLUA ME PLUMB NË KOKË

Kreu i grupit të FNSH-së në Shkodër Simon Gjeta rezulton se është qëlluar me plumb në kokë. Kreu i FNSH-së është qëlluar për vdekje në momentin që ata kanë thyer derën e banesës për ta arrestuar. 

GAZI LOTSJELLËS E GRANATA NË NISJEN E OPERACIONIT 

Për të neutralizuar autorin e krimit, Policia e Shtetit është detyruar që të përdorë gazin lotsjellës. Ky i fundit është hedhur nga forcat RENEA brenda në banesë, me qëllim që të detyronte Ruzhdi Arishtën që të dilte jashtë nga shtëpi. Ndërkohë dy snajperë kanë ndjekur në distancë, duke monitoruar lëvizjet e Arishtës, pasi kishte mundësi që ai të dilte në dritare dhe të qëllonte. Kjo pasi, gazi lotsjellës ka efekt të menjëhershëm në frymëmarrje dhe lotimin e syve. 

MBI 250 EFEKTIVË POLICIE NË KËTË OPERACION TË POLICISË

Mbi 250 efektiv policie nga FNSH e Reparti Renea, 5 autoblinda si dhe qeni gjurmues ishin pjesë e 12 orëce operacion me shkëmbim zjarri midis policisë së shtetit dhe Ruzhdi Aishtës tashmë të ekzekutuar.

Operacioni u drejtua nga kreu i policisë së Shtetit Haki Çako dhe zv/drejtori Altin Qato. Mësohet se Çako, ka tentuar disa herë të negociojë me Ruzhdi Arishtën, duke përdorur dhe kryeplakun e fshatin, por sërish 52-vjeçari nuk është bindur për tu dorëzuar. Herë pas here, Arishta ka qëlluar me breshëri, duke treguar shenja agresiviteti dhe mos i dhënë mundësi policisë të përparojë në drejtim të banesës, për të kapur hyrjen e shtëpisë. 

PAS 12 ORËSH, GJITHÇKA NEUTRALIZOHET, QËLLOHET ARISHTA

Pas rreth 12 orëve “luftë”, forcat RENEA kanë qëlluar për vdekje autorin e vrasjes së komandantit të njësisë së Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës Simon Gjeta. 52-vjeçari Ruzhdi Arishta u ekzekutua rreth orës 07:10 të mëngjesit të së dielës në banesën e tij në kodër të fshatit Obot i Ri në kushtet e mosdorëzimit dhe kundërpërgjigjeve me armë që i bënte thirrjeve të policisë. Thuajse gjatë gjithë natës autori i krimit ka hapur zjarr në mënyrë të vazhdueshme në drejtim të RENEA-s duke mos ju bindur thirrjeve për dorëzim. Efektivët kanë pritur të zbardhë dhe në orën 07:10 minuta në kushtet e ndriçimit të plotë RENEA i ka bërë thirrjen e fundit për vetëdorëzim Ruzhdi Arishtës, por 52-vjeçari nuk është përgjigjur. Në këto kushte forcat e policisë kanë ndërhyrë  në banesë. Autori ishte fshehur në aneks të shtëpisë ku jetonte i vetmuar dhe në befasi ka hapur sërish zjarr me breshëri ndaj forcave RENEA. Efektivët i janë kundërpërgjigjur duke e lënë të pajetë 52-vjeçarin Ruzhdi Arishta pas plot 12 orëve shkëmbim zjarri.