Pa u tërhequr uji nga të gjitha shtëpitë dhe tokat e përmbytura, politika po debaton se si duhet trajtuar kjo situatë. Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kërkojnë shpalljen e gjendjes së emergjencës, por qeveria refuzon në mënyrë të prerë.

Arsyeja janë paratë. Nëse qeveria shpall gjendjen e emergjencës, detyrimet që rrjedhin nga ligji i emergjencës shkojnë në dhjetëra milionë euro. Por si, pse dhe kur shpallet gjendja e emergjencës? Kuadri ligjor është një vendim i qeverisë së Fatos Nanos në vitin 2002. Sipas këtij vendimi, gjendja e emergjencës mund të shpallet në një pjesë të territorit, ose në të gjithë vendin kur plotësohen këto kritere.

Në rastin e përmbytjeve mund të shpallet gjendja e emergjencës kur: a-niveli i ujrave arrin pika kritike në disa zona të matshme b-një ose më shumë lumenj kanë dalë jashtë shtratit në përmasa të rrezikshme c– kur jeta e popullsisë civile, gjësë së gjallë dhe pronat janë rrezikuar seriozisht Pas shpalljes së emergjencës, të gjitha veprimet e organeve shtetërore rregullohen nga ligji për emergjencat civile.

Në nenin 1 ky ligj thotë: “Planëzimi dhe përballimi i emergjencave civile janë detyra të shtetit shqiptar që synon: parandalimin, pakësimin dhe riaftësimin nga çdo dëmtim që prek popullatën, gjënë gjallë, pronën, trashëgiminë kulturore dhe mjedisin nga emergjencat civile”. Pra nëse qeveria e shpall gjendjen e emergjencës, ligji e imponon një dëmshpërblim në masën 100 për qind të çdo dëmi që prek popullatën.

Në 7 vitet e fundit Shqipëria e ka shpallur dy herë gjendjen e emergjencës për fatkeqësitë natyrore: në të dyja rastet nga ish-Qeveria “Berisha”, një herë në vitin 2010 kur u përmbyt zona e Nën Shkodrës nga shkarkimet e Fierzës dhe herën e dytë në 2012-ën kur ngricat dhe dëbora bllokuan Veriun e vendit.

Sipas të dhënave zyrtare, qeveria miratoi 11 milionë euro në 2010 për dëmshpërblimin e banorëve, ndërsa në 2012 shifra e kompesimit ishte 30 milionë euro.