Ashtu siç kishte premtuar Armir Grima i jep lamtumirën Vllaznisë si trajner në detyrë. Grima këtë deklaratë e bëri menjëherë pas ndeshjes me Bylisin ku kuqeblutë fituan me rezultatin 3-2. Përgjegjësit duhet që të afrohen tek Vllaznia dhe ta mbështesin tha Grima pas lënies së detyrës si trajner, një deklaratë e ripërsëritur disa herë nga ana e tij.

Duke komentuar fitoren 3-2 të Vllaznisë ndaj Bylisit, Grima tha se futbolli ka të papritura. Në fund dha edhe një urim në prag të festave të fundvitit. Armir Grima pas dorëheqjes së Luan Zmijanit pas 5 javëve në kampionat, e drejtoi Vllazninë në rolin e trajnerit në 13 ndeshje të Superligës me një bilanc prej 4 fitore, 3 barazime dhe 6 humbje dhe e lë Vllazninë në kuotën e 15 pikëve, 2 më shumë se Bylis dhe 4 më shumë se Tërbuni i vendit të fundit. Tashmë Vllaznia duhet të gjejë trajnerin e ri.