
Pas shqetësimeve të ngritura nga qytetarët për ndotjen e ujit të pijshëm disa ditë më parë, Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Lezhë ka shtuar kontrollet dhe analizat laboratorike për të siguruar cilësinë dhe sigurinë e furnizimit me ujë.Mostrat e ujit merren çdo ditë në 13 pika të ndryshme kyçe të rrjetit të furnizimit dhe analizohen në laboratorin përkates. Rezultatet e fundit tregojnë se niveli i ndotjes është ulur dhe parametrat kryesorë fizikë, kimikë dhe bakteriologjikë janë brenda normave të lejuara thotë Drejtori i Njesisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Lezhë Elson Frroku.
Autoritetet shëndetësore vijojnë të mbeten në gatishmëri dhe po bashkëpunojnë me institucionet përgjegjëse për të identifikuar shkakun e ndotjes së mëparshme dhe për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla.Nga ana tjeter qytetarët ftohen të njoftojnë Njesinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor për çdo problematikë të mundshme në lidhje me cilësinë e ujit, ndërsa monitorimi do të vazhdojë në intervale të rregullta për të garantuar sigurinë e konsumatorëve.