Siguria, masa të shtuara, në pranga disa të kërkuar

Në rrugët e vendit dhe veçanërisht në kryeqytet dy ditët e fundit është vënë re një prezencë e shtuar e forcave policore, por edhe civile për rritjen e parametrave të sigurisë. Vetëm në kryeqytet 16 persona të shpallur në kërkim janë vënë në pranga. “Kontrollet janë ushtruar në mjete apo ambiente nga policia kriminale ku kemi patur informacion dhe i cilësojm problematike. Kontrollet nuk kanë qenë rutinë por qenë më objekt të qartë. Dua të falenderoj qytetarët për bashkëpunimin por edhe ti kërkoj ndjesë nëse janë shqetësuar nga kto kontrolle, që e theksoj që nuk janë rutinë”, thotë Ervin Hodaj, Drejtor i Policisë së Tiranës. Kreu i Policisë së Tiranës, thotë se masat shtesë që do të vijojnë deri në fund të muajit lidhen edhe me personat që kanë përfituar nga amnistia, të cilët kanë tendencë t’i rikthehen krimit. “Plani i masave parashikon edhe monitorimin e personave që kanë përfituar nga amnistia, kryesisht për vjedhjet e banesave. Edhe kur u bë një amnisti tjetër para disa kohësh mbaj mend që një person kreu të njëjtën veprër penale vetëm 2 ditë pasi kishte dalë nga burgu”, thotë Hodaj.