Për të shmangur episodet tragjike të një viti më parë, (rasti më i rëndë vdekja e 7-vjeçares Jonada Avdias në Himarë), këtë sezon turistik do të patrullojnë në det policë kufitar me Jet Ski. Detyra e tyre do të jetë kontrolli i detit sa i përket respektimit të rregullave nga përdoruesit e mjeteve motorike, si edhe do të jenë në gatishmëri për t’iu ofruar ndihmë çdo qytetari që ndodhet në rrezik. Kjo njësi do të jetë e përbërë nga 104 punonjës policie, e ndërsa në terren do të jenë 35 Jet Ski që do të patrullojnë në vijën bregdetare nga veriu në jug, në zonat më të populluara turistike dhe do të jetë në funksion përgjatë gjithë sezonit veror.

“Në sezonin e shkuar turistik, një ngjarje e provokuar nga një pjesëtar i padenjë, një shëmbëlltyrë e së keqes në polici. Humbi jetën një vogëlushe dhe doli në pah një dobësi e shtetit në përballjen me një peshë krejt ë re si rezultat i një transformimi të vazhdueshëm të sezonit turistik dhe i futjes në këtë sezon i mjeteve të ujit të cilat janë shtuar ndjeshëm, por duke shtuar ndjeshëm rrezikun dhe për pasojë edhe shkallën e përgjegjësisë të forcave të policisë. U desh ajo tragjedi për të reaguar dhe për të nxjerrë një mësim të madh dhe për t’iu përgjigjur sfidës së re dhe një rreziku të shtuar me krijimin e një njësie të ujit që është këtu me gjithë mjetet e nevojshme për ta vënë në kontroll aktivitetin në ujë të mjeteve lundruese private”, tha Rama.

Artikulli paraprakCHARLES III BETOHET ME DORËN MBI BIBËL: DO JEM MONARK BESNIK
Artikulli tjetërDRINI NË KOMAN: BANORËT KANË NEVOJË PËR INVESTIME