Kryeministri Rama u takua sot në Stamboll, me Presidentin turk Recep Tayyip Erdogan. Në qendër të bisedës ishte situata e sigurisë në rajon, si pjesë e sfidës së përbashkët kundër terrorizmit, kriza e refugjatëve sirianë si pasojë e përshkallëzimit të konfliktit në atë vend, si dhe nevoja për të zhvilluar më tej marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve.
Presidenti Erdogan çmoi lart punën e Policisë së Shtetit shqiptar në luftën kundër krimit dhe trafikut të drogës, suksesin e veçantë të Shqipërisë në reformën e energjisë, betejën për formalizimin e ekonomisë, si edhe në tërësi kurajën e qeverisë shqiptare për reformat e mëdha që e kanë futur Shqipërinë në rrugën e ndërtimit të një shteti serioz. Tema e zhvillimit të sektorit të ujit zuri një vend të veçantë. Presidenti Erdogan e siguroi Kryeministrin për një mbështetje të posaçme me programe konkrete investimesh, qoftë për ujin e pijshëm dhe qoftë për ujitjen e kullimin në zonat bujqësore. Po ashtu u përcaktuan një sërë veprimesh konkrete për të fuqizuar infrastrukturën shëndetësore dhe arsimore përmes partneriteteve publike private.