
Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor 2026–2027, siguria e nxënësve është vendosur në qendër të një takimi ndërinstitucional të zhvilluar në Shkodër.
Përfaqësues të institucioneve vendore dhe qendrore kanë diskutuar masat që do të ndërmerren për garantimin e një mjedisi të sigurt në shkolla dhe përreth tyre.
Në takim morën pjesë zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Anisa Ruseti, drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Dashamir Spaho, përfaqësues të bashkive, drejtues të Zyrave Vendore Arsimore dhe strukturave të tjera përgjegjëse. Në fokus ishte zbatimi i Paketës së Sigurisë në Shkolla, me masa që nisin nga përcaktimi dhe respektimi i perimetrit të sigurisë pranë institucioneve arsimore, deri te kontrolli i aksesit dhe forcimi i sigurisë në hyrje dhe dalje.
Një rëndësi e veçantë iu kushtua edhe sinjalistikës rrugore pranë shkollave, me synim rritjen e sigurisë së nxënësve gjatë lëvizjes në zonat përreth institucioneve arsimore. Parandalimi i dhunës dhe bullizmit është një tjetër pikë e rëndësishme e masave për vitin e ri shkollor. Institucionet synojnë që rastet problematike të evidentohen në kohë dhe të shoqërohen me reagim të menjëhershëm.
Për këtë qëllim, është kërkuar bashkëpunim më i ngushtë mes drejtuesve të shkollave, Oficerëve të Sigurisë, Policisë së Shtetit, bashkive, prindërve dhe strukturave arsimore. Me nisjen e vitit të ri shkollor, sfida mbetet jo vetëm reagimi ndaj problematikave, por kryesisht parandalimi i tyre, për të garantuar një ambient të sigurt për fëmijët dhe stafet pedagogjike.


