Në Shqipëri, ushqimi shpesh kalon më shumë filtra në Instagram sesa në laborator. Ligjet ekzistojnë, por zbatimi i tyre mbetet i ngadaltë dhe transparenca mbetet kryesisht formale. Raste si fileto pule me salmonelë, fruta dhe perime me nivel të lartë pesticidesh apo situate absurde kur në marketet e vendit tone janë shitur cokollata me krimba, makarona me milingona, apo sallam me pendë pulash, tregojnë boshllëqet e sistemit. Sfida thellohet nga globalizimi, ndryshimet klimatike dhe rritja e popullsisë, por problemi kryesor mbetet mungesa e besimit te institucionet dhe një kulturë që e trajton transparencën si luks, jo si detyrim. Siguria ushqimore është pasqyra më e qartë e vlerës që një shoqëri i jep jetës së qytetarit të vet.
Situata aktuale në terren
Në vitin 2023, rreth 5–7% e mostrave të perimeve dhe mishit të inspektuara rezultuan të papërshtatshme për konsum, përfshirë disa tonelata kastravecësh dhe pjeshkësh me pesticide mbi normat e lejuara.
AKU publikoi një njoftim zyrtar mbi një rast të kohëve të fundit, ku pas analizave të kryera u konstatua se një sasi filetosh pule të importuara nga Brazili, të mbërritura në Portin e Durrësit, ishin të kontaminuara me salmonelë. Edhe pse një pjesë e filetove u bllokua gjatë inspektimeve, disa produkte arritën të hyjnë në treg përpara raportimit, duke rrezikuar shëndetin e konsumatorëve. Ndërkohë, rasti i fundit kur Sllovenia tërhoqi nga tregu specat e importuara nga Shqipëria, pasi analizat zbuluan praninë e tre llojeve të pesticideve të rrezikshme, e nxjerr në pah edhe më qartë thellësinë e këtij problemi.
Këto shifra tregojnë se, edhe pse ekziston një sistem inspektimi, ai nuk arrin të mbulojë në mënyrë të plotë tregun, duke bërë që qytetarët të mbeten të ekspozuar ndaj produkteve të pasigurta dhe rreziqeve të vazhdueshme për shëndetin e tyre.
Sipas Raportit të Komisionit Evropian 2024, Shqipëria ka bërë disa hapa përpara në fushën e sigurisë ushqimore, por sfidat mbeten të dukshme. Raporti thekson se ligjislacioni shqiptar ende nuk përmbush plotësisht të gjitha standardet dhe kërkesat që BE-ja ka vendosur për sigurinë ushqimore.Ky vlerësim i Komisionit Evropian tregon qartë se, edhe pse ka përmirësime teknike si rivitalizimi i sistemit AKU-net, Shqipëria ende duhet të punojë më shumë për harmonizimin e kuadrit ligjor, planifikimin efektiv të kontrolleve zyrtare, si dhe për rritjen e transparencës. Bashkimi Evropian kërkon që çdo vend kandidat të ketë një plan kombëtar shumëvjeçar për kontrollin ushqimor, i cili siguron që kontrollet të jenë të vazhdueshme, të planifikuara dhe të bazuara në risk, duke rritur transparencën dhe besueshmërinë. Pra, mungesa e këtij plani është një mangësi serioze në sistemin shqiptar të sigurisë ushqimore, sepse pa të nuk mund të ketë një strategji të qartë, të qëndrueshme dhe të monitorueshme për mbrojtjen e konsumatorëve.
Një plan kombëtar shumëvjeçar do të lejonte që inspektimet të planifikoheshin sipas riskut të produkteve dhe zonave, duke fokusuar burimet dhe stafin në vendet ku rreziku për shëndetin publik është më i lartë. Për shembull, fermat që prodhojnë mish, qumësht apo vezë do të duhej të monitoroheshin më shpesh, ndërsa produktet me rrezik më të ulët mund të inspektohen periodikisht, në mënyrë të optimizuar.
Rreziqet për shëndetin dhe mjedisin
Siguria ushqimore është thelbësore për shëndetin e qytetarëve, besimin tek institucionet dhe funksionimin e një tregu të drejtë. Në kuadër të procesit të integrimit në BE, Shqipëria duhet të përafrojë legjislacionin me Kapitullin 12 të acquis communautaire, i cili mbulon sigurinë ushqimore, veterinarinë dhe mbrojtjen e bimëve.
Megjithë përpjekjet për hartimin e ligjeve dhe ngritjen e strukturave të reja, zbatimi praktik mbetet i fragmentuar. Një numër i konsiderueshëm prodhuesish të vegjël nuk janë të regjistruar në sistemin AKU, gjë që e vështirëson gjurmueshmërinë dhe kontrollin e produkteve. Sipas të dhënave të AKU-së, mbi 30% e mostrave të inspektuara në 2023 rezultuan me parregullsi, përfshirë etiketim të pasaktë dhe tejkalim të normave të aditivëve.
Mungesa e informacionit të qartë, falsifikimi i datave të skadencës dhe përdorimi i shtesave të paautorizuara rrisin ndjeshëm pasigurinë ushqimore. Një problem i veçantë lidhet me qumështin, ku rreth 40% e produktit nuk përmbush standardet e BE-së, kryesisht për shkak të kushteve të dobëta të ruajtjes dhe mungesës së laboratorëve të specializuar.
Mungesa e kontrollit të rreptë ka pasoja të drejtpërdrejta:
• Kontaminimi me salmonelë: rrezikon veçanërisht fëmijët, të moshuarit dhe personat me imunitet të ulët.
• Pesticidet në fruta dhe perime: ekspozimi afatgjatë mund të shkaktojë çrregullime hormonale, dëmtime të mëlçisë dhe rritje të riskut për kancer.
• Efektet mjedisore: ndotja e tokës dhe ujërave, ulja e biodiversitetit dhe dobësimi i qëndrueshmërisë së bujqësisë.

Ku ngec Shqipëria në rrugën drejt standardeve të BE-së?
Në raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë, 2024, konstatohet se kuadri ligjor për sigurinë ushqimore ende nuk është plotësisht i përafruar me Rregulloren e Përgjithshme të Ushqimit të BE-së. Po ashtu, kontrollet zyrtare nuk janë në përputhje me Rregulloren e Kontrollit Zyrtar (Official Controls Regulation – OCR), e cila përcakton standardet për inspektimet, gjurmueshmërinë dhe mbikëqyrjen e të gjithë zinxhirit ushqimor në vendet anëtare të BE-së.
Kjo do të thotë se, edhe pse Shqipëria ka ngritur një strukturë administrative për inspektime, bazat ligjore dhe praktikat mbeten të pjesshme dhe shpesh të vjetruara.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka ndërmarrë hapa për të përmirësuar sistemin AKU-net, një databazë elektronike që synon të rrisë transparencën dhe menaxhimin e të dhënave të inspektimeve. Megjithatë, sipas raportit, kërkohet ende shumë punë për të reduktuar ngarkesën administrative dhe për të aplikuar realisht qasjen e bazuar në risk, një standard ky që dallon BE-në nga shumica e vendeve në tranzicion.
Në praktikë, shumë kontrolle kryhen ende në mënyrë rutine, pa një prioritet të qartë për sektorët me risk të lartë. Kjo jo vetëm që ul efektivitetin e sistemit, por gjithashtu krijon hapësira për subjektivitet dhe mundësi abuzimi.
Një tjetër problem i theksuar është mungesa e një plani kombëtar shumëvjeçar për kontrollin ushqimor, i cili përbën një kërkesë bazë të BE-së. Një plan i tillë do të siguronte që kontrollet të ishin të koordinuara ndërmjet institucioneve, të mbështetura me fonde të mjaftueshme dhe të bazuara në analiza shkencore të riskut. Aktualisht, inspektimet shpesh varen nga burimet e kufizuara financiare dhe jo nga prioritetet reale të tregut, çka kufizon ndjeshëm besueshmërinë e sistemit.
Sipas të dhënave të publikuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) në vitin 2023, mbi 25% e kontrolleve të planifikuara nga AKU nuk u realizuan, kryesisht për mungesë burimesh njerëzore dhe logjistike.
Raporti vëren gjithashtu se parimi i transparencës, që është thelbësor për besimin e konsumatorit, nuk zbatohet plotësisht. Të dhënat mbi rezultatet e kontrolleve, shkeljet apo gjobat shpesh publikohen pjesërisht ose me vonesë, duke kufizuar mundësinë e publikut për të ndjekur ecurinë e institucioneve. Në BE, çdo subjekt që shkel rregullat e sigurisë ushqimore publikohet në një Regjistër të Hapur të Riskut, në mënyrë që konsumatorët dhe bizneset të jenë të informuar në kohë reale, një praktikë që Shqipëria ende nuk e ka adoptuar.
Nga ana tjetër, raporti thekson se kuadri për rregullat e sigurisë ushqimore, përfshirë përdorimin e aditivëve dhe përcaktimin e nivelit maksimal të ndotësve në ushqim, është vetëm pjesërisht i përafruar me acquis të BE-së. Një shembull konkret është mungesa e progresit në hartimin e një “roadmap” për përmirësimin e cilësisë së qumështit, një problem që përsëritet çdo vit në raportet e KE-së. Cilësia e qumështit mbetet nën standardet europiane, kryesisht për shkak të mungesës së laboratorëve të certifikuar, kushteve jo higjienike të prodhimit në fermat e vogla dhe mungesës së inspektimeve të rregullta.
Në shumë raste, qumështi nuk kalon testet bazë të përmbajtjes mikrobiale, por megjithatë përfundon në tregjet lokale, duke vënë konsumatorin në rrezik të drejtpërdrejtë.
Këto mangësi tregojnë se sfida e Shqipërisë nuk qëndron vetëm te përafrimi ligjor, por kryesisht te zbatimi real i standardeve në terren. BE-ja nuk kërkon vetëm që ligjet të përkthehen dhe miratohen, por që ato të zbatohen me të njëjtën rreptësi si në vendet anëtare.
Për sa kohë që inspektimet do të jenë sporadike, transparenca e kufizuar dhe përgjegjësia institucionale e paqartë, Shqipëria do të mbetet një vend me “legjislacion europian në letër, por realitet ballkanik në praktikë.”

Rekomandime dhe zgjidhje: drejt një sistemi ushqimor të besueshëm dhe europian
Për t’u afruar me standardet e Bashkimit Evropian, Shqipëria duhet të ndërmarrë reforma të thella dhe të koordinuara në të gjithë zinxhirin ushqimor. Hartimi i një plani kombëtar shumëvjeçar për kontrollet zyrtare është i domosdoshëm, i bazuar në risk dhe jo thjesht në reagim ndaj problemeve që shfaqen. Ky plan do të mundësojë një qasje më sistematike, do të forcojë besimin e qytetarëve tek institucionet dhe do të bëjë që kontrollet të jenë më efektive dhe të qëndrueshme.
Modernizimi i laboratorëve kombëtarë dhe akreditimi sipas standardeve ndërkombëtare do të sigurojë që analizat për mbetje, kontaminantë dhe aditivë ushqimorë të jenë të sakta dhe të besueshme. Pa këtë hap, çdo përpjekje tjetër mbetet e mangët, pasi rezultatet laboratorike janë baza për vendimet e inspektimit dhe për gjurmueshmërinë e produkteve.
Një sistem digjital i gjurmueshmërisë “nga ferma te tregu” është i domosdoshëm për të identifikuar çdo produkt dhe për të garantuar përgjegjësinë e çdo hallke në zinxhirin ushqimor. Ky sistem nuk është vetëm një mjet teknik, por edhe një tregues i aftësisë së shtetit për të menaxhuar sigurinë ushqimore dhe për të parandaluar rreziqet ndaj qytetarëve.
Trajnimi i vazhdueshëm i inspektorëve të AKU-së mbi standardet e BE-së dhe përdorimin e teknologjive moderne është një tjetër element kyç. Pa kapacitete të mjaftueshme njerëzore dhe pa njohuri të avancuara, çdo rregull apo ligj mbetet vetëm një dokument formal. Për këtë arsye, fuqizimi i kapaciteteve njerëzore shërben si themel për një system ushqimor të besueshëm dhe të qëndrueshëm.
Mbështetja financiare për fermerët dhe operatorët ushqimorë, përmes granteve, subvencioneve dhe lehtësimeve administrative, mund të inkurajojë përputhjen me standardet evropiane. Kjo nuk është thjesht një masë stimuluese, por një mënyrë për të garantuar që reforma të përfshijë të gjithë aktorët e zinxhirit ushqimor dhe të mos mbetet vetëm në letër.
Në të njëjtën kohë, edukimi i qytetarëve dhe ndërgjegjësimi mbi etiketimet, rreziqet dhe mundësitë për të raportuar produkte të pasigurta janë elementë kyç për rritjen e besimit dhe përforcimin e transparencës së tregut.
Gazetarët, nga ana e tyre, luajnë një rol të pazëvendësueshëm. Publikimi i analizave, fact-checking mbi produktet e pasigurta dhe denoncimi i praktikave jo të sigurta të bizneseve ushqimore, ndërgjegjësojnë publikun dhe e detyrojnë sistemin të funksionojë me transparencë. Informimi i qytetarëve mbi përputhjen e ligjit shqiptar me standardet e BE-së krijon debat publik dhe nxit një kulturë përgjegjësie institucionale. Në një vend ku besimi te institucionet shpesh është i brishtë, gazetaria e përgjegjshme bëhet një instrument i fuqishëm për të parandaluar rreziqet dhe për të rritur sigurinë ushqimore.
Vetëm përmes këtyre masave integrale, Shqipëria mund të kalojë nga një sistem i fragmentuar dhe reaktiv në një sistem të besueshëm, proaktiv dhe të harmonizuar me BE-në. Kjo nuk është thjesht një detyrim ligjor, por një investim në shëndetin publik, besimin e qytetarëve dhe konkurrueshmërinë e tregut ushqimor shqiptar në nivel ndërkombëtar.
Në fund, siguria ushqimore nuk është luks europian, por domosdoshmëri kombëtare.
Ajo është garanci për shëndetin e qytetarëve, për besimin në treg dhe për vetë imazhin e Shqipërisë si vend kandidat për anëtarësim.
Vetëm nëse e shohim sigurinë ushqimore si pjesë të strategjisë sonë të zhvillimit të qëndrueshëm, dhe jo si një detyrim burokratik ndaj Brukselit, mund të arrijmë një standard që e bën qytetarin shqiptar po aq të mbrojtur sa çdo qytetar europian. Siguria ushqimore është një çështje e përbashkët: institucionet të kontrollojnë, qytetarët të reagojnë, media të informojë. Ushqimi i sigurt nuk është luks, por një e drejtë dhe një detyrim kolektiv.
Një Shqipëri me ushqim të sigurt është e mundur, por kërkon veprim të menjëhershëm, bashkëpunim dhe përgjegjësi nga të gjithë. Çdo përpjekje për të kuptuar dhe zbatuar standardet e sigurisë ushqimore është një hap drejt një shoqërie më të sigurt dhe më të përgjegjshme. Në këtë rrugë, mësimi nuk ndalet kurrë, dhe çdo sfidë është një mundësi për të kontribuar drejt një Shqipërie më të fortë dhe më të integruar në Bashkimin Evropian.

“Ky artikull është financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të projektit ‘Mbështetje për edukimin mbi sigurinë ushqimore në Shqipëri’, i cili po zbatohet nga Qendra për Ekselencë Destiny dhe Qendra TEAM. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.”
NGA GAZETARI TEODOR GJERGA

Artikulli paraprakKOMISIONERJA KOSI: SHEMBULLI MË I MIRË I FUQISË TRANSFORMUESE TË ZGJERIMIT
Artikulli tjetërRAMA NË BRUKSEL: DALIM ME KRENARI DHE PËRGJEGJËSI MË TË MADHE NGA FAZA E PARË