
Në veri të Sirisë në rajonin ku u rrëzua një helikopter rus një ditë më pare, janë raportuar dy sulme të tjera, kësaj radhe me gaz kimik.
Në sulmin e parë të raportuar, dhjetra cilindra që përmbanin gaz klori u hodhën në zonat e banuara në qytetin e Saraqeb, në provincën Idlib, sulm që u konfirmua më pas edhe nga një grup vullnetar në Facebook. Në incidentin e dytë të dyshuar, qeveria siriane deklaroi se “grupet terroriste” kanë kryer një sulm me gaz që vrau pesë vetë në qytetin e vjetër të Alepos të martën pasdite, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve SANA. Ende nuk dihet nëse dy sulmet janë te lidhur me njëri tjetrin, por nga ana tjetër Rusia, përkrahësi kryesor ushtarak i Sirisë, ka mohuar me forcë një sulm të tillë kimik.






