Kushtet e paqëndrueshme atmosferike kanë përfshirë gjatë ditës së sotme territorin e Qarkut Shkodër, duke vënë në gatishmëri strukturat vendore dhe ato të emergjencave civile. Sipas të dhënave zyrtare, situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe deri në këto momente nuk raportohet për problematika të rënda.
Në Bashkinë Shkodër janë regjistruar reshje shiu me intensitet të lartë, ndërsa të gjitha kapacitetet e bashkisë janë vënë në gatishmëri për përballimin e çdo situate të mundshme. Në Bashkinë Vau i Dejës, aktualisht nuk raportohen reshje shiu.
Reshje të dendura janë shënuar gjatë natës edhe në Bashkinë Malësi e Madhe. Në qytetin e Koplikut është evidentuar prani uji në disa rrugë, por situata paraqitet në përmirësim, pasi uji po tërhiqet gradualisht. Ndërkohë, në fshatin Kamicë, Njësia Administrative Qendër, si pasojë e prurjeve nga Përroi i Thatë, janë konstatuar dëmtime në rrugën lidhëse Kamicë–Flakë, duke sjellë vështirësi të përkohshme në qarkullimin e mjeteve. Strukturat vendore ndodhen në terren dhe po ndjekin nga afër situatën.
Në Bashkitë Fushë-Arrëz dhe Pukë vijojnë reshjet e shiut, në Pukë të shoqëruara edhe me erë të fortë, por deri në këto momente nuk raportohet për problematika.
Sipas raportimeve nga Drejtoria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizimeve Lezhë, prurjet në lumenj dhe përrenj janë rritur, por mbeten nën kuotat e rrezikut për përmbytje. Nivelet e ujit në lumenjtë Buna, Drin, Kir, Gjadër, si dhe në Rezervuarin e Shtodrit janë normale, ndërsa hidrovoret e Velipojës ndodhen në gatishmëri të plotë.
Problematika janë shënuar edhe në disa akse rrugore. Në segmentin Bogë–Theth, në zonën e Qafë Thores, është regjistruar prani dëbore, çka kërkon kujdes të shtuar nga drejtuesit e mjeteve. Ndërkohë, në aksin Hani i Hotit–Dogana Vermosh janë shënuar rënie inertesh, por grupet e punës janë në terren dhe po kryejnë pastrimin e rrugës.
Gjithashtu, si pasojë e kushteve atmosferike, janë regjistruar disa ndërprerje të energjisë elektrike në njësi administrative të bashkive Shkodër, Vau i Dejës dhe Fushë-Arrëz. Ekipet e OSHEE-së po punojnë në terren për rikthimin e furnizimit me energji elektrike.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të bashkëpunojnë me strukturat vendore. Situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm nga strukturat e emergjencave civile.

Artikulli paraprakATENTATI ME TRITOL NË SHKODËR, “ARREST ME BURG” PËR 4 TË DYSHUARIT
Artikulli tjetërMARCO MOLLA ËSHTË GARDIANI MË I RI I PORTËS SË BESËLIDHJES