
Dy vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në territorin e Qarkut Lezhë, në fshatrat Lufaj dhe Tharri, në Bashkinë Mirditë. Strukturat e emergjencave, shërbimet zjarrfikëse, njësitë administrative dhe banorët e zonës vijojnë punën për monitorimin dhe parandalimin e riaktivizimit të flakëve.Në fshatin Lufaj, në Njësinë Administrative Selitë, vatra e zjarrit është aktive prej mbrëmjes së 13 gushtit. Zjarri ka përfshirë sipërfaqe me lisa dhe shkurre dhe, për shkak të terrenit dhe erës, ka pasur riaktivizime të herëpashershme.Aktualisht, rreziku për banesat është larguar, ndërsa vatra ka avancuar në drejtim të territorit të Bashkisë Mat.
Zjarri ndodhet pranë Shpellës së Valit, monument kulture, në kufirin mes Perlatit të Epërm dhe Bruçit.Në lagjen Caraj, ku zjarri ndodhej në një shpat mali të thepisur, ndërhyrja nga ajri dhe puna e forcave në terren kanë bërë të mundur izolimin e vatrës dhe shmangien e rrezikut për banesat. Në zonë kanë ndërhyrë edhe dy mjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura, me 9 efektivë.Vatra në Lufaj vijon të monitorohet nga Njësia Administrative Selitë, me 3 punonjës dhe 6 banorë të zonës. Në këtë zonë është ndërhyrë edhe me helikopter të Forcave të Armatosura më 16 dhe 17 gusht.Ndërkohë, në fshatin Tharri, në Njësinë Administrative Kthellë, zjarri ka rënë mëngjesin e 16 gushtit.
Vatra është izoluar dhe aktualisht nuk paraqet rrezik për përhapje.Megjithatë, për shkak të pranisë së trungjeve të djegura dhe tymit, zona vijon të mbahet nën monitorim, pasi ekziston mundësia e riaktivizimeve brenda perimetrit të sipërfaqes së djegur.Edhe në Tharri është ndërhyrë nga ajri me helikopter të Forcave të Armatosura.Situata në të dyja vatrat paraqitet më e qetë, ndërsa strukturat e MZSH-së, bashkitë, njësitë administrative dhe banorët vijojnë monitorimin në terren për të parandaluar çdo riaktivizim të mundshëm të zjarreve.






