Mirëmëngjes,
Nga komunikimi me strukturat vendore të Mbrojtjes Civile në pesë bashkitë e qarkut, Prefekti i Qarkut Shkodër ju bën me dije situatën e mëngjesit si më poshtë:

Bashkia Shkodër
* Gjatë gjithë natës kanë vazhduar reshje të shumta shiu në territorin e bashkisë.
* Deri në këto momente nuk janë raportuar problematika me emergjencat civile, me përjashtim të rrugës Kir–Shosh, ku në vendin e quajtur Dardha e Shoshit ka pasur rëniesh gurësh që kanë bllokuar qarkullimin dhe rruga aktualisht është e pakalueshme.
* Strukturat përkatëse janë njoftuar dhe po punohet për zhbllokimin e aksit.

Bashkia Malësi e Madhe
* Në territorin e bashkisë nuk janë raportuar problematika nga reshjet e shiut.
* Strukturat e emergjencave civile janë në gatishmëri dhe po monitorojnë situatën.

Bashkia Vau Dejës
* Aktualisht nuk raportohen probleme nga reshjet e shiut.
* Vijon puna për verifikimin e banesave të përmbytura gjatë ditës së djeshme dhe evidentimin e dëmeve të mundshme.

Bashkia Pukë
* Si pasojë e reshjeve të shiut, janë dëmtuar disa rrugë rurale, kryesisht në njësitë administrative Rrapë dhe Gjegjan, ku ka rrugë lidhëse të fshatrave të bllokuara.
* Rruga nacionale Pukë–Fushë Arrëz është aktualisht e bllokuar në vendin e quajtur Qafa e Batres, si pasojë e shembjes së një masivi dheu.
* Furnizimi me energji elektrike ka pasur ndërprerje të herëpashershme, ndërsa fshatrat Gjegjan, Dom, Rras, Kuzhnen dhe Gojan i Vogël janë pa energji elektrike (Njësia Administrative Gjegjan).
* Strukturat vendore po punojnë për pastrimin e rrugëve dhe rikthimin e energjisë në zonat e prekura.

Bashkia Fushë Arrëz
* Si pasojë e reshjeve të dendura të ditës së djeshme dhe gjatë natës, janë dëmtuar pothuajse të gjitha rrugët rurale të territorit të bashkisë.
* Janë evidentuar rrëshqitje masive dherash, rënie gurësh dhe dëmtime të trupit të rrugëve.
* Ka pasur probleme me furnizimin me energji elektrike në njësitë Iballë, Qafë-Mali dhe Blerim.
* Janë raportuar gjithashtu dëmtime të ujësjellësave të fshatrave.
* Aktualisht po punohet me dy fadroma për hapjen e aksit rrugor Pukë–Fushë Arrëz.

Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Lezhë
* Gjatë natës kanë rënë rreth 40 mm reshje shiu.
* Deri tani nuk janë konstatuar dëmtime në argjinatura, kanalet kryesore të kullimit dhe digën e rezervuarit Shtoder.
* Nivelet e ujit në lumenjtë Buna dhe Drin janë poshtë kuotës minimale së leximit të hidrometrave.
* Lumi Kir ka pasur prurje të larta, por pa shkaktuar dëme.

Reshjet e shiut kanë vijuar gjatë natës në të gjithë territorin e Qarkut Shkodër, me intensitet mesatar deri të lartë në zona të caktuara. Aktualisht nuk raportohen problematika të mëdha përveç dëmtimeve të rrugëve rurale në bashkitë Pukë dhe Fushë Arrëz, si dhe bllokimit të aksit Kir–Shosh në Bashkinë Shkodër.
Strukturat vendore dhe ato të emergjencave civile janë në gatishmëri të plotë dhe vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjet në terren.

Artikulli paraprakNJIHUNI ME PARASHIKIMIN E MOTIT PËR KËTË TË HËNË
Artikulli tjetërGJIKNURI: TË GJITHA PARTITË PËRFAQËSOHEN NË KOMISION, S’KEMI MANDAT PËR NDRYSHIME KUSHTETUESE