Reshjet e shiut kanë vazhduar gjatë natës në gjithë territorin e Qarkut Shkodër, por deri në mëngjes situata paraqitet kryesisht nën kontroll, falë gatishmërisë së strukturave të emergjencave civile.
Në Bashkinë Shkodër, reshjet kanë shkaktuar rënie gurësh në aksin Kir–Shosh (në vendin e quajtur Dardha e Shoshit), që e kanë bërë rrugën të pakalueshme. Strukturat janë në terren dhe po punojnë për pastrimin e aksit.
Në Malësi e Madhe nuk janë raportuar problematika, ndërsa bashkinë Vau Dejës po vijon verifikimi i banesave të përmbytura nga dita e djeshme.
Situata paraqitet më e ndërlikuar në Bashkitë Pukë dhe Fushë Arrëz, ku disa rrugë rurale janë bllokuar dhe disa fshatra si njësia Iballë,Qafë Mali dhe Blerim kanë pasur ndërprerje të energjisë elektrike. Në Pukë, rruga nacionale Pukë–Fushë Arrëz është e bllokuar për shkak të shembjes së dheut. Ndërsa në Fushë Arrëz, reshjet kanë shkaktuar rrëshqitje masive dhe dëmtime të rrugëve dhe ujësjellësave. Aktualisht po punohet me fadroma për hapjen e aksit kryesor.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Lezhë, nivelet e ujit në lumenjtë Buna dhe Drin janë të ulëta, ndërsa lumi Kir ka pasur prurje të larta, por pa shkaktuar dëme.
Strukturat vendore dhe ato të emergjencave civile janë në gatishmëri të plotë dhe po vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjet në terren, për të siguruar qarkullimin dhe furnizimin me energji.

Artikulli paraprakOLSIAN ÇELA RAPORTON NË KUVEND: NEVOJË PËR NDËRHYRJE NË LIGJIN MBI KRIMET ONLINE
Artikulli tjetërSITUATA NË TRUSH NJË DITË PAS PËRMBYTJEVE