
Situata në Qarku Shkodër paraqitet përgjithësisht e qëndrueshme, ndërsa strukturat përgjegjëse vijojnë monitorimin në terren dhe ndërhyrjet sipas nevojave.
Në Shkodër, konkretisht në zonën e Obotit, vijon operacioni i ndërhyrjes nga Reparti Ushtarak. Niveli i ujit në rrugë raportohet rreth 40 centimetra, ndërsa ekipet ndodhen në terren për përballimin e situatës dhe asistencën ndaj banorëve.
Sa i përket qarkullimit rrugor, pas një pune të gjatë dhe krijimit të kushteve të sigurisë, është bërë i mundur pastrimi i borës së rënë nga ortekët në zonën e Qafë Thore. Aktualisht aksi është i hapur, po kryhet kriposja dhe ndërhyrje me frezë për zgjerimin e pjesës së kalueshme. Autoritetet bëjnë thirrje që kalimi në zonën e tuneleve të realizohet vetëm me goma dimërore ose zinxhirë, ndërsa gjatë orëve të mesditës kërkohet kujdes i shtuar për shkak të rrezikut të aktivizimit të ortekëve si pasojë e motit të kthjellët.
Ndërkohë, strukturat e Emergjencave Civile raportojnë se në bashkitë Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Pukë dhe Fushë-Arrëz nuk evidentohen probleme apo situata emergjente.






