
Në vijim të monitorimit të situatës dhe bazuar në informacionet e raportuara nga bashkitë, strukturat e Mbrojtjes Civile dhe institucionet përgjegjëse, situata në territorin e Qarkut Shkodër paraqitet e qendrueshme.
Në territorin e Bashkisë Shkodër, situata vijon të mbetet e njëjtë. Në fshatin Obot niveli i ujit arrin rreth 40 cm, ndërsa nuk konstatohet zgjerim i sipërfaqeve të tokave bujqësore të përmbytura. Në këtë zonë vijojnë të qëndrojnë në gatishmëri 6 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 1 mjet me kalueshmëri të lartë, të vendosur për të mbështetur komunitetin në rast nevoje.
Në territorin e Bashkia Vau i Dejës, Bashkia Malësi e Madhe, Bashkia Pukë dhe Bashkia Fushë-Arrëz situata paraqitet e qëndrueshme dhe nën kontroll. Nuk raportohen problematika apo situata emergjente.
Sipas të dhënave nga DRUK Lezhë, niveli i lumit Drin rezulton 7.70 m, ndërkohë që kuota kritike është 10.00 m. Po ashtu, në pikën matëse Ura e Bunës (Pazar) niveli i ujit është 7.70 m, nga 9.50 m që është kuota kritike. Nuk raportohen probleme në kanalet e kullimit apo në argjinatura.
Sa i përket situatës së akseve rrugore, pas një pune të pandërprerë gjatë gjithë natës është bërë e mundur zhbllokimi dhe pastrimi i zonës së bllokuar nga ortekët. Aktualisht vijon puna për pastrimin e segmentit Qafë Thore – Theth. Ndërkohë ka nisur edhe lëvizja e mjeteve nga Thethi në drejtim të Bogës, ndërsa strukturat përkatëse po punojnë për kriposjen dhe zgjerimin e pjesës kaluese të rrugës. Temperaturat momentalisht janë të ulëta, çka krijon kushte më të sigurta për kalimin në zonat me rrezik ortekësh. Aksi rrugor vijon të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përgjegjëse.
Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër, në bashkëpunim me strukturat përgjegjëse, vijon të jetë në terren, duke monitoruar në mënyrë të vazhdueshme situatën.






