
Situata e krijuar një ditë më pare nga moti i keq me erë të fortë e reshje shiu dhe dëbore në Qarkun e Lezhës ka nisur të përmiresohet. Sipas të dhënave zyrtare nga Mbrojtja Civile përgjatë 24 oreve të fundit kanë rënë 14 mm shi, kurse në lartësitë mbi 700 m ka pasur reshje bore me intensitet mesatar.
Në zonat malore të Bashkisë Mirditë, Njesitë Administrative Fan, Orosh dhe Selitë trashesia e borës ka arritur deri në 20 cm, duke krijuar vështiresi në lëvizjen e automjeteve. Përgjatë natës është punuar nga mjetet e Bashkisë Mirditë dhe të gjitha rruget në zonat rurale janë të kalueshme, e po ashtu edhe kalimi në rrugen e kombit në pjesën që përshkon Qarkun e Lezhës vijon të jetë pa probleme. Prezence bore ka patur edhe në aksin rrugor Kallmet-Ungrej, por pa krijuar problematika në lëvizjen e automjeteve.
Ndërkohë shpejtësia e eres ka rënë, duke ju dhënë mundësi edhe punonjësve të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, që të riparojnë defektet e shkaktuara në rrjet dhe prej mesnates të së dieles është bërë i mundur rikthimi i energjisë elektrike në të gjithë territorin. Ndërkohë situata po mbahet nën monitorim të vazhdueshem kryesisht në zonen e Mirditës, pasi rënia e temperaturave mund të sjellë ngrica në rruge.