Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bën të ditur se numri total i rasteve pozitive është 94.167 raste nga 447.840 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.926 raste të vdekjes.

Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 524 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 77.957 raste, kurse numri i rasteve aktive është 14.284.

Ndryshe, një ditë më parë Qeveria e Kosovës ka marr vendim për shtrëngim të masave.

Me këto masa ndalohet veprimtaria e qendrave të mbyllura tregtare, përveç shërbimeve esenciale në kuadër të tyre siç janë marketet ushqimore dhe farmacitë si dhe shërbimet e gastronomisë obligohen të pezullojnë aktivitetin e tyre nga data 7 prill deri më datë 18 prill.

“Të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar (nga data 12 prill deri me 18 prill), dhe të gjitha institucionet publike dhe private universitare nga data (6 prill deri me datë 18 prill) obligohen që të organizojnë online të gjitha aktivitetet mësimore. Institucionet parashkollore vazhdojnë aktivitetin normalisht, duke i respektuar masat dhe rekomandimet kundër COVID-19”.

Në vendim thuhet se institucionet publike dhe private obligohen që të paraqitet në punë vetëm stafi i cili kryen shërbime esenciale. Përgjegjësit e institucioneve publike dhe private obligohen të definojnë stafin esencial për nevojat e institucionit me hyrjen në fuqi të këtij vendimi.

Bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative, në të gjitha rastet përveç: gjatë ngasjes së automjetit vetëm apo me anëtarët e ngushtë të familjes, gjatë vrapit dhe çiklimit dhe gjatë ecjeve jashtë zonave të banuara dhe jo në grupe me më shumë se 4 persona të të njëjtës familje.

Ndalohen të gjitha grumbullimet me rrezikshmëri të lartë të shpërndarjes së infeksionit, me më shumë se 10 persona, (mbledhjet, seminaret, trajnimet, dasma, ahengje familjare, homazhe, e të ngjashme).

Lidhur me masat e reja ka shkruar edhe kryeministri Albin Kurti.

Ai ka thënë se gjendja emergjente e shëndetit publik, i ka detyruar që të kufizojnë lirinë e lëvizjes, lirinë e tubimit, e të drejtën e privatësisë, dhe lirinë e dhënies së shërbimeve dhe të administrimit të biznesit.

Kurti, përmes një postimi në Facebook, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të vendit që t’u përmbahen masave që janë treguar efektive dhe tashmë janë bërë pjesë e përditshmërisë sonë.

“Trendi i rritjes së numrit të të infektuarve me COVID-19 është bërë i frikshëm. Në bazë të analizës së situatës epidemiologjike me COVID-19 nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) në dy javët e fundit janë raportuar 11.577 raste pozitive, 150 raste fatale, ndërsa shkalla e fatalitetit të rastit (CFR) është 1.29%”, ka shkruar Kurti.