Lezha u përball me një situatë të vështirë nga zjarret gjatë mbrëmjes së të enjtes, me disa vatra që u aktivizuan në zona të ndryshme. Era e fortë favorizoi përhapjen e flakëve, duke e bërë ndërhyrjen e zjarrfikësve më të vështirë dhe duke rrezikuar edhe banesat pranë zonave të përfshira nga zjarri. Situata më problematike u shënua në Barbullojë, ku flakët përfshinë shkurre dhe ferra në një sipërfaqe të konsiderueshme. Për shkak të erës, zjarri u përhap me shpejtësi në drejtim të banesave, duke krijuar panik te banorët e zonës.

Për shuarjen e flakëve u angazhuan zjarrfikësit e Lezhës, ndërsa në ndihmë mbërritën edhe forca nga bashkitë fqinje. Ekipet punuan për disa orë në terren, duke ndërhyrë në disa pika për të ndaluar avancimin e flakëve drejt banesave. Pas një operacioni të gjatë, zjarri në Barbullojë u vu nën kontroll, ndërsa ndërhyrja e forcave zjarrfikëse bëri të mundur shmangien e përhapjes së flakëve në zonën e banuar.

Por ndërsa situata në Barbullojë po vihej nën kontroll, rreth orës 22:00 një tjetër vatër zjarri u shfaq në malin e Manatisë, pranë aksit të vjetër Lezhë-Milot.Flakët përfshinë masivin pyjor dhe, të favorizuara sërish nga era e fortë, nisën të përhapen në drejtim të zonave të banuara. Për shkak të terrenit dhe intensitetit të zjarrit, ndërhyrja gjatë natës ishte e vështirë.

Në orët e para të mëngjesit, operacioni për shuarjen e flakëve vijoi edhe nga ajri, ndërsa në terren u angazhuan forcat zjarrfikëse për të izoluar vatrat dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.Dyshohet se shkak i zjarreve është bërë pakujdesia gjatë djegies së mbetjeve të tokave bujqësore, ndersa autoritetet vijojnë monitorimin e zonave të prekura për të shmangur riaktivizimin e vatrave të zjarrit.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakRAMA PËR MEDIAN GJERMANE: JEMI NË FAZËN PËRFUNDIMTARE TË PASTRIMIT TË VENDIT
Artikulli tjetër“SHTËPIA E BERNARDA ALBËS” NË SKENËN E LEZHËS