Vijon të përkeqësohet situata nga përmbytjet në Europën Perëndimore, ku 80 persona kanë humbur jetën në Gjermani dhe 1300 të tjerë janë raportuar të zhdukur.

Pasoja katastrofale nga përmbytjet ka patur edhe në vendet e Beneluksit, ku 11 persona kanë humbur jetën në Belgjikë si pasojë e motit ekstrem, ndërsa në Luksemburg dhe Holandë janë shkaktuar dëme të shumta materiale. Moti i keq me reshje të dendura shiu bëri që të dilnin nga shtrati lumenjtë në Evropën Perëndimore, duke shkatërruar rajonin.

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka premtuar mbështetje të plotë për personat e prekur nga përmbytjet, më të këqija që ka parë vendi në dekada.

Duke folur gjatë një takimi me Presidentin e SHBA, Joe Biden në Uashington DC, Merkel shprehu “ngushëllimet e saj më të thella” për të gjithë në të gjithë rajonin që kishin humbur të dashurit e tyre pas.

Megjithatë, Merkel paralajmëroi përkeqësim të situatës, ndërsa tha: “Kam frikë se do të shohim shtrirjen e plotë të kësaj tragjedie vetëm në ditët në vijim”.

Situata nuk duket se do të përmirësohet së shpejti, pasi sinoptikanët kanë parashikuar reshje të dendura shiu në Gjermani edhe gjatë kësaj të premte.

Sipas ekspertëve, shkak i këtij moti ekstrem është ndryshimi i klimës, që pritet të rrisë frekuencën e ngjarjeve ekstreme të motit.

 

Artikulli paraprakULJE TEMPERATURASH DHE RESHJE SHIU NË DISA ZONA, NJIHUNI ME PARASHIKIMIN E MOTIT PËR DITËN E SOTME
Artikulli tjetërOBSH THIRRJE KINËS: TË BASHKËPUNOJMË PËR HETIMIN E ORIGJINËS SË COVID-19