Roja bregdetare italiane e qytetit të Gallipolit në rajonin e Pulias ka shpëtuar në orët e para të mëngjesit të datës 16 nëntor një skaf, i cili kishte në bord 2 shtetas shqiptarë.

Njëri prej tyre ishte shpallur në kërkim nga drejtësia italiane. Skafi kishte pësuar një avari në motor në mes të detit e alarmi për shpëtimin e tyre ishte lëshuar nga një telefon satelitar në zotërim të njërit prej shtetasve shqiptarë. Roja bregdetare e Gallipolit ka identifikuar skafin në avari rreth 4 milje larg brigjeve të Otrantos. Anija CP 809 e rojes bregdetare të Otrantos dhe anija CP 327 e rojes bregdetare të Santa Maria di Leuca kanë mundur të identifikojnë skafin, duke e tërhequr deri në portin e Otrantos. Dy shtetasit shqiptarë ishin në gjendje të mirë shëndetësore e kanë deklaruar se janë nisur nga brigjet shqiptare gjatë ditës së djeshme dhe kanë mbetur në det pas një avari të pësuar në motorin e skafit. Pas verifikimeve mbi identitetit e dy shtetasve shqiptarë, policia italiane ka verifikuar se njëri prej tyre ishte i kërkuar nga drejtësia italiane, fakt që çoi në arrestimin e menjëhershëm të tij.

Artikulli paraprakPARASHIKIMI I MOTIT, RREZE DIELLI POR…
Artikulli tjetërMARINAJ: NË QERSHORIN E ARDHSHËM PËRFUNDOJNË PUNIMET