Skandali i kartëmonedhave, Komisioni dëgjon guvernatorin dhe kreun e KLSH

Komisioni parlamentar i ekonomisë thirri në një seancë me dyer të mbyllura guvernatorin e Bankës së Shqipërisë dhe kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit për të dëshmuar për çështjen e kartëmonedhave të dëmtuara. Erjon Braçe nuk zbuloi se çfarë u diskutua në mbledhje, por sqaroi se ku qëndron përplasja mes Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Bankës së Shqipërisë për kartëmonedhat e dëmtuara. “Ka një pretendim nga KLSH për një dëm ekonomik të shkaktuar që vjen nga mospërputhja e ligjit për Bankën e Shqipërisë me rregulloren e vitit ‘98 dhe shtatorit të vitit 2013”, deklaroi Braçe. Sipas KLSH, gjatë periudhës janar 2010-korrik 2014, përmes nxjerrjes së kartëmonedhave të dëmtuara disa banka private kanë përfituar padrejtësisht 542 milionë lekë. Por kjo nuk pranohet nga Banka e Shqipërisë. “Nëse qëndron përgjegjësia do të jetë një më një për të gjithë persona përgjegjës që kanë administruar Departamentin e Emisionit në këtë periudhë. Nëse nuk qëndron, atëherë mbetet fakti i konfirmimit në komision se në 20 akte që ka rregullorja e veprimtarisë së Departamentit të Emisionit, përfshirë çështjen e parave të dëmtuara, 15 prej tyre janë përmirësuar”, theksoi Braçe. Raporti është klasifikuar si sekret shtetëror. Por cili është qëndrimi i komisionit pas ballafaqimit të palëeve. “Kjo është një çështje që duhet të hetohet deri në fund. Ky është qëndrimi im si kryetar i komisionit, por edhe i kryetarit të KLSH-së dhe guvernatorit të Bankës së Shqipërisë”, shtoi Braçe. Denoncimi i KLSH për abuzimet me nxjerrjen nga tregu i kartëmonedhave të dëmtuara në peirudhën 2010-2014 po hetohet nga Prokuroria e Tiranës.

Artikulli paraprakAMBASADORI BRITANIK,RRUGA DREJT BE E PATJETERSUESHME
Artikulli tjetërSKANDAL ME TEKSTIN E MATEMATIKES.NXENESVE U BEHET TEST PER VDEKJEN