Gjatë gjithë sezonit të kaluar është përfolur për një shkelje të rregullave të FIFA-s në kontratat mes lojtarëve të Vllaznisë, bashkisë Shkodër dhe përfshirjes së sponsorit Alban Xhaferri. Në kundërshtim të plotë me rregullat e FIFA-s sipas një prej kontratave të siguruara nga STAR PLUS që janë depozituar e protokolluar si të rregullta në FSHF, pikat e

ndryshme të vendosura aty janë shumë të pazakonta, ashtu siç është i çuditshëm fakti që në FSHF nuk kanë kuptuar se po pranojnë kontrata që nuk lejohen nga FIFA. Në një nga kontratat e siguruara, pika 1.2 parashikon që sponsori i skuadrës, të jetë njëkohësisht edhe menaxheri i lojtarëve që afron në ekip duke përfituar një shumë prej 10% nga kontrata e çdo futbollisti.

“Sponsori në rolin e “agjentit” për këtë transferim ka të drejtën të përfitojë si komision 10% të shumës së kontratës. Palët kanë rënë dakord që me nënshkrimin e kësaj kontrate “sponsori” të mos kërkojë shumën e komisionit, por të njihet si kontribut i sponsorit në këtë marrëdhënie”, shkruhet në këtë pikë.

Me pak fjalë, ”sponsori” në klubin shkodran nuk paguan për rrogat e lojtarëve, por një përqindje e saj, që rrjedh deri më sot ekskluzivisht nga bashkia e nga taksapaguesit shkodranë, i njihet si kontribut direkt atij në ekip. Një pikë me të cilën binin dakord të tre palët firmëtare të kësaj kontrate, pasi aty përfshiheshin kompania që sponsorizon aktualisht Vllazninë, përfaqësuesi i klubit dhe lojtari.

Pra nëse një lojtar paguhet 4 mijë euro në muaj nga bashkia Shkodër, 400 euro prej kësaj shume i njihen sponsorit si kontribut i tij në pagën e lojtarit edhe pse praktikisht sponsorit nuk nxjerr në këtë rast asnjë qindarkë nga xhepi, ashtu siç ka ndodhur në fakt.

Pika 1.4 është edhe më e çuditshme. Edhe këtu duhej të kishte ndërhyrë FSHF. Në këtë pikë theksohet se në rast të transferimit të lojtarit, sponsori përfiton 50% të shumës. Me pak fjalë, çdo lojtar i afruar nga sponsori-menaxher, rrogën e të cilit e paguante ekskluzivisht bashkia, nëse shitet sjell të ardhura të ndara përgjysmë mes klubit dhe sponsorit.

Kjo pikë bie në kundërshtim të plotë me rregulloret e FIFA-s, e cila nuk lejon në kontratat e lojtarëve që të përfshihen palë të treta në zotërimin e kartonit të futbollistit që i ka kaluar në mënyrë indirekte në këtë rast “sponsorit”.

E shpjeguar më thjesht, nëse Bashkia dëshironte t’i dhuronte sponsorit 50% të pagesës së përftuar nga shtija e një lojtari, ajo duhej ta bënte me një kontratë të posaçme, kurrsesi në një kontratë punësimi të lojtarit pasi nuk lejohet nga FIFA.

Për më tepër, një klauzolë e tillë që është aktivizuar në rastin e transferimit të sulmuesit Dunga, hedh dyshime edhe mbi ligjshmërinë e saj në bazë të legjislacionit shqiptar, duke qenë Bashkia ende pronare e plotë e klubit është e pakuptimtë që përfitimet t’i kalojnë një pale tjetër në rast se ka ndodhur kështu sipas kësaj kontrate.

Këto klauzola kanë bërë që lojtarët të hezitojnë të hedhin firmën në marrëveshjet e reja, duke patur një lloj frike.