Kompania e sigurisë kibernetike “Jones group international” do të ofrojë ekspertizën e saj në Shqipëri, për te gjitha sistemet elektronike për te mbrojtur databazat me te dhënat e qytetareve.

Këshilli i Ministrave ka miratuar memorandumin e mirëkuptimit mes këtë kompani, me qëllim forcimin e sigurisë kibernetike të infrastrukturës kritike për Shqipërinë.

Ky memorandum bashkëpunimi vjen pas skandalit të pagave, ku listat me emrat e tatimpaguesve shqiptarë u publikuan në rrjetet sociale.

VENDIMI
MIRATIMIN E MEMORANDUMIT TË MIRËKUPTIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE GRUPIT JONES INTERNATIONAL, PËR FORCIMIN E SIGURISË KIBERNETIKE TË INFRASTRUKTURËS KRITIKE PËR SHQIPËRINË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr.2/2017, “Për sigurinë kibernetike”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
Miratimin e memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Grupit Jones International, për forcimin e sigurisë kibernetike të infrastrukturës kritike për Shqipërinë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

PR/LIGJI PËR MBROJTJEN E TË DHËNAVE TË QYTETARËVE
Bazuar në Rregulloren e Përgjithshme e Mbrojtjes së të Dhënave Personale dhe Direktivën e Policisë, maxhoranca ka përgatitur një projektligj për mbrojtjen e të dhënave të qytetarëve.
Projektligji përmban disa risi të rëndësishme siç janë forcimi i instrumentit të dhënies pëlqimit dhe mënyrat e përparuara të shprehjes së tij (duke përfshirë shprehjen e pëlqimit nëpërmjet klikimit). Gjithashtu, Projektligji forcon pozitën e qytetarit (subjektit të të dhënave) nëpërmjet të drejtave të reja të parashikuara në favor të tij, siç janë e drejta për t’u harruar apo e drejta e transferueshmërisë së të dhënave.
Projektligji parashikon sanksione administrative të zbatuara në pjesën më të madhe të shteteve të BE-së në shuma të mëdha parash. Në rastin e një ndërmarrjeje, deri në 4% të xhiros totale vjetore për vitin financiar paraardhës.