
Ndryshimi i kritereve dhe masat më specifike të përcaktuara këtë vit kanë sjellë një panoramë të re të aplikimeve për skemën e subvencioneve në rajonin e Shkodrës.
Sipas të dhënave nga Drejtoria Rajonale e Bujqësisë, rregullat e reja janë treguar mjaft favorizuese për sektorin e blegtorisë, duke nxitur një numër të lartë aplikimesh nga fermerët e kësaj fushe. Konkretisht, vëmendja më e madhe është përqendruar te blegtoria. Në katër masat e para të kësaj skeme kanë aplikuar plot 1,853 fermerë.
Por, e kundërta ka ndodhur me sektorin e bujqësisë. Kriteret e vendosura këtë vit duket se kanë qenë penalizuese ose të vështira për t’u plotësuar nga kultivuesit e tokës. Kjo ka sjellë një rënie drastike të interesit, ku në bujqësi fermerët kanë aplikuar rreth 70% më pak krahasuar me vitin e kaluar.
Ky ngushtim i kritereve në bujqësi ka ndikuar direkt edhe në bilancin total të qarkut Shkodër. Nëse një vit më parë në total aplikuan 3,800 fermerë, këtë vit numri i përgjithshëm ka zbritur në 2,500 aplikues.






