Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka vijuar takimet prezantuese me drejtuesit dhe efektivët e DVP-ve në qarqe, ku së fundmi takoi drejtuesit e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, si dhe shefat e komisariateve dhe sektorëve në varësi të këtyre drejtorive.

Gjatë këtyre takimeve, Drejtori i Përgjithshëm prezantoi objektivat kryesore të punës, duke kërkuar masa të menjëhershme për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, si dhe për identifikimin dhe kapjen e financuesve, organizatorëve dhe trafikantëve të lëndëve narkotike.

Ai theksoi se është e papranueshme që Shkodra dhe Lezha të vijojnë çdo vit me të njëjtën situatë, duke gjetur dhe shkatërruar bimët e kultivuara, dhe kërkoi studim të plotë të situatës, analizë të çdo informacioni dhe të rasteve të mëparshme, me qëllim parandalimin dhe ndëshkimin e organizatorëve të kësaj veprimtarie kriminale.

Në fokus të detyrave të lëna ishin gjithashtu goditja e armëmbajtjes pa leje, rritja e kontrolleve dhe sigurimi i informacionit për kapjen e personave të armatosur në ambiente publike apo me automjete, kapja e personave në kërkim, parandalimi dhe zbardhja e ngjarjeve kriminale, ndërtimet pa leje, lojërat e fatit dhe call center-at, si dhe reagimi i menjëhershëm dhe profesional ndaj çdo shqetësimi të qytetarëve, me shërbim etik dhe profesional.

Artikulli paraprakKOPSHTI “BARDHAJ” RIHAPET ME KUSHTE MODERNE
Artikulli tjetërNIS NDËRTIMI I STREHËZËS SË TRETË PËR QENTË ENDACAKË