Sllovakia merr Presidencën e radhës së Bashkimit Europian pas Holandës.

Në një kohë kur Europa përballet me sfida të mëdha, si “Brexit” apo kriza e emigrantëve, sërish procesi i integrimit të Ballkanit Perëndimor mbetet i pacënuar. “Ju tashmë më keni dhënë një shenjë që Shqipëria është gati të punojë për procesin e integrimit, sidomos nën mbikëqyrjen e presidencës sllovake”, tha Milan Ciganik, ambasador i Republikës së Sllovakisë. Gjatë pasqyrimit të axhendës, Presidenca sllovake shprehu si prioritet kryesor forcimin e ekonomisë së unionit. “Prioritet i parë është të forcojmë ekonominë europiane. Prioritet i dytë është të modernizojmë dhe të krijojmë një treg të vetëm në fusha si energjia dhe ekonomia dixhitale”, tha më tej Milan Ciganik. Ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin vuri theksin te dialogu në përballimin e sfidave, por siguroi edhe se angazhimi i Bashkimit Europian për rajonin nuk do të cënohet. “Republika sllovake ka një detyrë të vështirë teksa merr Presidencën në këto kohë komplekse për Europën. Angazhimi ynë për integrimin europian të Shqipërisë dhe pjesës tjetër të Ballkanit Perëndimor ngelet i pacënuar, çfarë do të jetë edhe nën presidencën sllovake”, tha Romana Vlahutin, ambasadore e BE-së. Vlahutin bëri edhe një herë thirrje për 21 korrikun, duke kërkuar që zëri i shqiptarëve të dëgjohet. “Do ta mbyll me datën 21 korrik. Ju lutem sigurohuni që zëri juaj të dëgjohet gjatë gjithë kohës, por veçanërisht në këtë datë. Në prag të adoptimit të kësaj reforme vendimtare për të mirën e vendit dhe të të gjithëve ju”, tha Vlahutin. Sllovakia merr Presidencën e BE-së pas 12 vitesh pjesë në union. Më 16 shtator do të mbahet edhe samiti joformal i udhëheqësve të BE-së në Bratislavë.