Atleti shkodran Izmir Smajlaj ka arritur një rezultat pozitiv në kampionatin europian të atletikës.

Shqiptari kërceu 7.75 cm në provën e parë ndërsa në të dytën bëri më pak dhe e treta ishte faull. Gjithsesi me 7.75, Smajlaj zuri vendin e 9-të që për një djalosh të ri dhe një shqiptar që është stërvitur në kushte skandaloze duhet thënë se ky rezultat është pozitiv. Në garën për të hyrë në finale atleti i Vllaznia kërceu edhe më shumë 7.92 cm por në bateritë e finales nuk e përsëriti të njëjtin rezultat. Izmir Smajlaj është vlerësuar edhe për vendin e 9-të të arritur edhe pse nuk ka marrë gjithë vëmendjen e duhur dhe vlerësimin që meriton. 8.25 kërceu britaniku Rutherford i cili mori medaljen e arit. Smajlaj është edhe rekordmen i padiskutueshëm duke thyer rekordin shumë vjeçar në kërcim 3-hapësh në kampionatin shqiptar përpara pak kohësh. Tashmë Smajlaj bën një paraqitje të mirë edhe në Europë teksa është një prej sportistëve të kualifikuar në lojërat olimpike të Brazilit. Edhe atje shkodrani synon të bëjë të njëjtën gjë, të marrë rezultate të larta edhe pse shkalla e vështirësisë është e madhe. Pas europianit, atleti i Vllaznisë do kthehet në Shqipëri për t’u stërvitur në kushte të vështira duke qenë se nuk ka një vend të përshtatshëm për shkak se në stadiumin e ri “Loro Boriçi” mungon pista e tartanit për mungesë fondesh teksa është thënë se do të vendoset në një moment të dytë. Kjo nuk i bën kujt përshtypje edhe pse Shkodra ka në gjirin e saj një atlet cilësor që Shqipëria nuk e ka patur prej shumë e shumë vitesh.