Sot Partia Demokratike është në heshtje zgjedhore, ndërsa ditën e nesërme 75 mijë anëtarë demokratë do të hedhin votën e tyre për të zgjedhur mes Lulzim Basha, Agron Shehaj, Edit Harxhi dhe Fatbardh Kadilli se kush do e drejtojë partinë.

Janë rreth 75 mijë anëtarë të PD që do të kenë të drejtën e votës ditën e diel dhe do t’i drejtohen 76 qendrave të votimit të ngritura në të gjithë vendin, përmes të cilave anëtarët do të ushtrojnë të drejtën e votës për të zgjedhur kryetarin.

Rikujtojmë se listat e anëtarësisë u bënë publike ditën e djeshme në prani të përfaqësuesve të kandidatëve për kryetar të PD. Pas hapjes së sistemit, degëve do t’u dërgohen listat e vulosura dhe me firmën e anëtarëve të Komisionit, përfshi dhe kandidatëve për kryetar të PD (janë emrat e 75067 anëtarëve të PD).

Votën mund ta hedhin vetëm personat që kanë kartë anëtarësie. Të përjashtuar nga vota do të jenë demokratët që sipas kryetarit të Komisionit Zgjedhor në PD, Jemin Gjana kanë bërë fushatë haptas për kundërshtarët në zgjedhjet e 25 prillit, ndonëse ata rezultojnë anëtarë të PD. Nga ana tjetër, Gjana tha se do të lejohen që të votojnë ata që s’kanë emrin në lista, por kanë kartë anëtarësie.

Në garën e brendshme të PD, evidentohet fakti se Basha ka zgjedhur të mos ngrijë funksionet e tij para zgjedhjeve duke mos dhënë dorëheqjen por ka zgjedhur të garojë duke mbajtur postin si kryetar i partisë. Të gjithë kandidatët kanë paraqitur një program, përveç Bashës.

Të tre kandidatët përballë Lulzim Bashës suksesin e partisë e lidhin së pari me reformimin e saj, ndaj edhe kanë paraqitur platformat politike. Në platformat e tyre, Kadilli dhe Harxhi kërkojnë një PD të bashkuar, i pari nëpërmjet një strukture organizimi të re, duke nisur nga degët e partisë, ndërsa e dyta duke rikthyer në parti, njerëzit me kontribute, që prej themelimit të PD.

Agron Shehaj në programin e tij me katër shtylla kryesore dhe me moton PD, partia që fiton, kërkon ngritjen e një sistemi elektronik për shprehjen e mendimit dhe votimit nga anëtarësia. Më 13 Qershor do të jetë anëtarësia ajo që do ta thotë fjalën e fundit.