Sot në Bruksel do të zhvillohet Konferenca e Donatorëve, ku Shqipëria shpreson te një solidaritet, jo vetëm simbolik, por të ndihmuar në rindërtimin pas tërmetit tragjik të 26 Nëntorit të vitit të kaluar. Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar një ditë të madhe për shqiptarët.

Nga Brukseli, ku ndodhej për takimin jo zyrtar mbrëmjen e djeshme me fokus metodologjinë e re të zgjerimit të BE-së, Rama u shpreh optimist se do të marrë një ndihmë të madhe për të mos e përballuar të vetëm faturën e madhe të rindërtimit.

“Po kështu, për ne, Shqipërinë, nesër (sot) është dita e madhe, sepse kemi konferencën e donatorëve për përballimin e situatës pas tërmetit dhe po shpresoj shumë se do të gjejmë mjaftueshëm solidaritet e mbështetje për të ecur përpara me rindërtimin”, tha Rama.

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca shkruante dje se cdo gjë është gati për Konferencën e Donatorëve dhe beson se ndërkombëtarët do të tregojnë solidaritet me Shqipërinë.

Programin për Konferencën e Donatorëve që do të zhvillohet sot duke filluar nga ora 14:30 e zbuloi zëdhënësja e KE-së. “Presidentja e Komisionit Europian do të hapë konferencën së bashku me kryeministrin Edi Rama dhe presidentin e Këshillit Europian Charles Michel në 14:30.

Komisioneri për Zgjerimin Olivér Várhelyi do të hapë dhe mbyllë sesionin e angazhimeve të donatorëve në këtë konferencë, ndërkohë që komisioneri Janez Lenarčič do të bëjë vlerësimin e nevojave lidhur me dëmet e tërmetit.

Në përfundim të konferencës së donatorëve, presidentja Von der Leyen dhe kryeministri Edi Rama do të mbajnë një konferencë për shtyp” tha zëdhënësja. Holanda zyrtarizoi para tre ditësh ndihmën 3 milionë euro për Shqipërinë, por dëmet llogariten 980 milionë euro, teksa rindërtimi kërkon rreth 1.08 mld euro.