
Ditën e sotme do të mblidhet në seancë plenare Kuvendi. Rendi i ditës do të jetë mjaft i ngjeshur për ligjvënësit por çështja e cila do të marrë vëmendjen kryesore është diskutimi dhe më pas vendimmarrja për ngritjen e Komisionit Hetimor pas kërkesës së 49 deputetëve për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.
Ditën e djeshme Komisioni i Ligjeve miratoi me 14 vota pro dhe 1 kundër, vetëm të deputetit Adriatik Alimadhit, raportin që do i dërgohet sot seancës plenare, ku argumentohet se kërkesa për shkarkimin e Metës është legjitime e bazuar në prova dhe i rekomandon seancës plenare ngritjen e Komisionit Hetimor.
Në këtë seancë të ‘Ligjeve’ do duhej të zhvillohej seanca dëgjimore me kreun e shtetit, por ky i fundit ka refuzuar sërish duke thënë se ka një axhendë të zënë që nuk mund ta shkelë, dhe se është i gatshëm vetëm në datën 10 maj.
Komisioni i Ligjeve mbështeti dhe gjeti të bazuar kërkesën e 49 deputetëve, të cilët kërkojnë shkarkimin e Metës, pasi sipas tyre ka shkelur rëndë Kushtetutën me angazhimin e hapur në fushatë në krah të opozitës dhe kundër mazhorancës.
Në raportin për ngritjen e komisionit hetimor, thuhet se Ilir Meta, me deklaratat dhe mesazhet e tij ka cenuar rëndë të drejtat kushtetuese të individëve, imazhin dhe reputacionin e vendit, si dhe marrëdhëniet me partnerët strategjikë të Shqipërisë, me Bashkimin Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithashtu në raportin për Parlamentin thuhet se Ilir Meta, para dhe gjatë zgjedhjeve, ka nxitur dhunë, urrejtje, ndasi si dhe vetëgjyqësi.
Sipas raportit, Meta ka shkelur edhe formulën e betimi si President. Kur mori detyrën, Meta u betua me dorën mbi Kushtetutë se do t’u qëndrojë besnik parmeve kushtetuese, por sipas raportit, sjelljet dhe në mesazhet e tij publike janë në kundërshtim me parimin e unitetit të popullit dhe të papajtueshme me Kushtetutën.
Data 9 maj është afati fundit për ngritjen e komisionit hetimor. Pas këtij afati komisioni është nul, pasi duhet të miratohet 4 muaj para mbarimit të mandatit të Parlamentit. Pikërisht për të djegur këtë afat, Ilir Meta kërkoi që të paraqitej për t’u dëgjuar në Komisionin e Ligjeve në datën 10 maj 2021.
Si nisën procedurat për shkarkimin e presidentit Ilir Meta? Për herë të dytë brenda dy viteve, Partia Socialiste nis procedurat për shkarkimin e Presidentit, Ilir Meta, për shkelje të rëndë të Kushtetutës. Paralajmërimi i parë për shkarkimin e Metës erdhi fillimisht nga kryeministri Edi Rama, dy ditë para zgjedhje të 25 prillit, pasi Meta i shpalli luftë SHBA dhe ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim.
Kujtojmë se Ilir Meta kishte paralajmëruar se do të jepte dorëheqjen por nuk e bëri një gjë të tillë pas zgjedhjeve. Ai ka thënë se do të kthehet në LSI në 2022, kur dhe i përfundon mandati i Presidentit. Nisur nga kjo, mazhoranca e njoftoi menjëherë nismën e saj për ta shkarkuar.
Ishte vetë numri dy i PS-së, Taulant Balla i cili i pari konfirmoi një fakt të tillë, duke thënë se “do i bëjnë gati letrat e pensionit”. Ndërkohë që më i ashpër ishte Kryeministri Rama i cili tha se Ilir Metën e dënoi populli i Shqipërisë në mënyrën më spektakolare dhe Kuvendi i Shqipërisë do të formalizojë këtë vendi.
Kuvendi diskuton sot disa akte të rëndësishme normative.






