Do të mbahet sot (15 dhjetor 2017) në Pogradec mbledhja e përbashkët e qeverive të Shqipërisë dhe të Maqedonisë. “Të dy kabinetet qeveritare do të takohen në “Hymeti Palace”, në orën 14.30. Në orën 16.30, Kryeministri Rama dhe homologu i tij Zaev do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Midis çështjeve që do të diskutohen, do të jetë ndërtimi i korridorit 8, që lidh Shqipërinë me Maqedoninë, çka do të rriste shkëmbimet tregtare. Tema të tjera janë siguria dhe përmirësimi i mëtejshëm i marrëdhënieve. “Në këtë takim do të nënshkruhen disa dokumente të rëndësishëm, përfshi plani i konsultimeve periodike midis ministrive të Jashtme të të dy vendeve, një memorandum bashkëpunimi midis ministrive të Brendshme, si dhe do të miratohet formimi i një Këshilli Ekonomik Dypalësh.

Në fushën e kulturës dhe shkencës do të nënshkruhet memorandumi për intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh përmes Institutit për Trashëgiminë Kulturore dhe Shpirtërore të shqiptarëve të Maqedonisë. Gjithashtu, do të nënshkruhet një memorandum bashkëpunimi në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, si dhe një marrëveshje për ndihmë reciproke në manaxhimin e emergjencave”, sqaron gjithashtu qeveria. Në datën 16, kryeministrat Rama dhe Zaev do të vizitojnë Pustecin, ku do të priten nga autoritetet vendase dhe do të asistojnë në dorëzimin e mjeteve mësimore për studentët e një shkolle lokale.

Artikulli paraprakSAIMIR TAHIRI MBËRRIN TEK KRIMET E RËNDA
Artikulli tjetërPANARITI: QUMËSHTI VENDAS ME AFLATOKSINË, SHKAKTON KANCER