Sot, Partia Demokratike organizon një protestë kundër vendimit të qeverisë së kryeministrit Edi Rama për mbylljen e TikTok.

Lideri i PD-së, Sali Berisha, ka shprehur kundërshtinë e tij duke e cilësuar mbylljen e këtij rrjeti social si një formë censure, duke e krahasuar me periudhën komuniste. Ai shtoi se TikTok duhet të rikthehet para datës 12 mars.

Ai u bëri thirrje të rinjve, nxënësve dhe studentëve që të bashkohen në protestë më orën 19:00 në sheshin “Skënderbej” të Tiranës për të mbrojtur lirinë e fjalës dhe të drejtat e tyre në internet.

Leja e kërkuar në polici nga organizatorët e tubimit është 2 orë, duke nisur nga ora 19:00 deri në orën 21:00.

Në terren do të jenë rreth 1200 efektivë. Në gatishmëri do të jenë edhe forcat RENEA, nëse do të duhet ndërhyrja e tyre. Ndërsa punonjës të Gardës së Republikës do të marrin në ruajtje institucionet e rëndësisë veçantë.

Si në çdo protestë, të gjithë efektivët do të jenë të pajisur me maska kundërgaz. Përgjatë bulevardit do të vendosen kamera me rezolucion të lartë, për të identifikuar tubuesit e dhunshëm.

Kordoni me efektivë policie para Kryeministrisë dhe perimetrit rreth saj do të vendoset një orë para nisjes së protestës. Një pjesë tjetër e efektivëve do të qëndrojnë në godinat e tjera, si Parlamenti, Bashkia e Tiranës apo Ministria e Brendshme nëse nga protestuesit mund të ketë ndonjë marshim të mundshëm.

Në terren do të përfshihen edhe agjentët civilë, për të monitoruar mbarëvajtjen e protestës, si dhe për të mbajtur nën vëzhgim personat që në protestat e mëparshme kanë kryer akte dhune.

Detyrat e lëna nga drejtuesit e policisë për vartësit e tyre janë që të mos provokohen nga protestuesit, si dhe të mbahen nën vëzhgim ata persona që në protestat e mëparshme kanë kryer akte dhune.

Artikulli paraprak“KUSH DO PASAPORTËN E BE, KA VETËM NJË RRUGË”/ RAMA NË PODKASTIN ‘FLASIM’: TË MOS NA NDAJNË MË SI DELET E ZEZA KUR HYJMË NË KUFI
Artikulli tjetër“BOTËRORI 2026”! PUBLIKOHET LISTA E KOMBËTARES SHQIPTARE PËR NDESHJET ME ANGLINË DHE ANDORRËN