
Në Moskë sonte në mbrëmje duke nisur nga ora 20:00 luhet një duel fantastik mes Brazilit dhe Serbisë. 5 herë kampionët e Botës duan të fitojnë për të siguruar vendin e parë në grup ndërsa Serbia kalon më tej me një fitore duke lënë jashtë Brazilin.
Për sa i përket formacionit trajneri i serbëve Krstajic do t’i besojë treshesh së përbërë nga Tadic, Milinkovic-Savic dhe Ljajic që do luajnë pas sulmuesit kryesor Mitrovic.
Serbia dhe trajneri Mladen Krstajic që kaluan një moment të vështirë pas ndeshjes me Zvicrën dhe që u gjobitën nga FIFA deklaron se skuadra e tij dëshiron të tregojë karakterin e saj ndaj amerikano jugorëve.
Nga ana tjetër Brazili nuk pritet të ndryshojë formacion pasi edhe trajneri Tite ka thënë se do të luajnë të njëjtën ndërsa analizon: “Nuk duhet të mendojmë për rivalin e 1/8-ve por për ndeshjen e sotme pasi duhet shumë qetësi.
Ne kemi një përgjegjësi të madhe dhe Serbia është një rival me kualitet”, e mbyll trajneri i Brazilit Tite.
Ndërsa në Nizhny Novgorod Stadium Zvicra e shqiptarëve ka një mundësi të artë për të siguruar kualifikimin më tej kur të përballet me Kosta Rikën e eliminuar.
Çështje dite në kampin e helvetëve ka qenë festimi me shqiponjë i Xhakës e Shaqirit por Valon Behrami premton se atë lloj festimi nuk do ta shohim më:
“Nuk ka për të ndodhur sërish pasi nuk ka një ndeshje të tillë siç ishte ajo ndaj Serbisë”, deklaron Behrami. Edhe trajneri Vladimir Petkovic ka kërkuar që më shumë të flitet për futboll sesa për mënyrën e festimit të dy futbollistëve me origjinë shqiptare.
Zvicra do luajë me të njëjtin formacion të dy ndeshjeve të para ndërsa tek Kosta Rika Keylor Navas do jetë në portë dhe Urena sulmues i vetëm.


